Deputeti socialist Petro Koçi, i bashkohet serisë së video-mesazheve me ‘dissing’ të politikanëve të partive të mëdha, këtë herë duke e shoqëruar me batuta ironike për kreun e PD-së, Sali Berisha dhe projektin e tij, që ligjvënësi e quan “Për Shqepërinë madhështore”.
Duke bërë lojë fjalësh me emrin e vendit tonë, ku sqaron se me projektin e kreut të PD-së që premton rroga, pensione, ulje taksash etj., “tani do të shqepen të gjithë”.
Duke përdorur sarkazmë të fortë ndaj kreut të selisë blu, ai kujtoi edhe projektin e parë të piramidave të viteve 90-të, duke e krahasuar Berishën me një Sude të ditës së sotme, që premton “lugë floriri”.
Dhe për ta bërë më të fortë ironinë dhe talljen me ish-kryeministrin e shpallur ‘non grata’ dhe nën akuzë e i pandehur për aferën e dosjes ‘Partizani”, tregon një histori domethënëse nga libri i ish-deputetit socialist Namik Dokle, ‘Vajzat e Mjegullës’ me mullixhiun dhe tagjinë.
Dhe ashtu sikurse fundi i historisë, Koçi tha se “tani me Sali Berishën dhe projektin e tij, do hingëllijnë të gjithë”.
Video-postimi i plotë i Petro Koçit:
“Përshëndetje miq. Sot do ju flas për projektin e Berishës, ‘Shqepëria madhështore!”. Çfarë është ky projekt? Është projekt me anë të të cilit shqepen që të gjithë. Shqepen me pensione, me rroga, me shpërblime, me ulje taksash dhe me lloj-lloj përfitimesh magjike që duket sikur tashmë me Berishën do hahet me lugë të florinjtë. Pra, do shqepen që të gjithë, duke ngrënë me lugë të florinjtë. Të kujton ato premtimet dhe funksionalitetin e firmave piramidale dhe të Sudes. Sudja ishte e viteve 90-të, tashmë kemi Berishën si një Sude të vitit 2025. Dhe dihet se ku përfundoi ai lloj projekti. Shkatërroi shtetin, shkatërroi ekonominë dhe finalja e atij shkatërrimi ishte viti 1997. Dhe nga ana tjetër dua ta paralelizoj këtë histori politike me një histori të Namik Dokles, tashmë një shkrimtar i shquar. I cili në librin e tij “Vajzat e Mjegullës”, tregon për një familje, e cila në kohën e një krize drithi, dërgon një nga anëtarët e vetë tek mullixhiu i një fshati të largët, për të marrë jo drith, por thjesht tagji (ushqim për kafshë, nga mbetjet e drithit pas bluarjes në mulli, ose tërshërë), sepse s’kishte drith. Dhe mullixhiu, në përcjellje e sipër të këtij personi që do transportonte tagjinë nga ty, te familja, i thotë tashmë që do hani tagji, do hingëllini të gjithë. Pra, me Sali Berishën, do hingëllijnë të gjithë! Ky është projekti i Shqepërisë madhështore që premton Sali Berisha!”.
Komente

Bravo Petro !
Përgjigju