Klisman Cake dhe Sylvinho në konferencë

Sport

‘Me Serbinë s’ishte ndeshje normale!’ Sylvinho: Më uroi Mancini, me Jordaninë më shumë se miqësore! Cake: Për Kombëtaren shkoj edhe në tribunë

13 Tetor, 17:19| Përditesimi: 14 Tetor, 07:47

  • Share

Kombëtarja shqiptare të martën do të luajë ndeshjen miqësore kundër Jordanisë, 3 ditë pas fitores historikë me Serbinë, ndërsa për mediat foli trajneri Sylvinho, por edhe Klisman Cake, futbollisti i thirrur rishtaz në këtë grumbullim. Fillimisht foli futbollisti pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ndërsa më pas trajneri preku disa tema duke nisur me miqësoren dhe më pas duke vijuar me ndeshjen kundër Serbisë, thashethemet për shkarkimi dhe detaje të tjera.

Për Klisman Caken është një ëndërr të jesh pjesë e kombëtares, teksa fillimisht u ndal të fliste për ftesën.

“Emocionet nuk mund të përshkruhen në kombëtare. Është një ëndërr që mendoj se e ka çdo fëmijë. Jam duke e jetuar këtë ëndërr. Nuk kam parë një grup kaq të bashkuar sa në kombëtare. Ka edhe në ekipe, por jo kështu si në kombëtare. Të gjithë djemtë janë treguar shumë mikëpritës me mua. Janë sjellë shumë mirë që në ditën e parë.

Kontaktin e parë me Sylvinho-n e kam patur kur erdha për herë të parë në kombëtare. Kur filluam përgatitjet për Serbinë dhe nuk më ka premtuar asgjë. Askush nuk të premton asgjë në kombëtare, por unë jam gati të vija në kombëtare edhe për të qëndruar në stol apo për të shkuar në tribunë. Nuk e kisha menduar gjatë ftesën, por jam befasuar kur më erdhi. Do jem gjithë jetën mirënjohës.”

Cake më pas foli se si është pritur ftesa edhe te klubi i tij shqiptar në Maqedoninë e Veriut që këtë sezon luan në Europa League.

“Te Shkëndija janë gazuar shumë, se janë shumë patriot. I duan shumë ngjyrat kuqezi. Janë gazuar të gjithë duke filluar nga lojtarët, trajneri dhe kryesia të cilët më kanë uruar fitoren kundër Serbisë.”

Ndërkohë Sylvinho u përpoq të tregonte se kundër Jordanisë është më shumë se një miqësore.

“Unë nuk besoj te miqësoret sepse luhet gjithmonë për të fituar. Nuk besoj të krijimi i një formacioni me 11 lojtarë që s’kanë luajtur kurrë bashkë. Jemi duke punuar dhe nesër do kemi 11-shen që në mëngjes. Të gjithë mund të luajnë, por të shohim se si kombinohen me njëri-tjetrin. Ka lojtarë që kanë 6 muaj - 1 vit me ne, por kanë luajtur shumë pak dhe me shumë mundësi do të kenë minuta.”

Ndeshja me Serbinë?

“Jam pak i lodhur, sepse rikthimi ishte i vonë. Shumë njerëz ishin në aeroport. S’ishte ndeshje normale me Serbinë, por kemi eksperiencë tani pas evropianit. Duhet të mendojmë për ndeshjet e nëntorit. Jam shumë i lumtur si është përfaqësuar kombëtarja deri më tani, pas është hera e parë që ka pikët dhe mund të shkojë në play-of’.

Sa e ndjeni veten shqiptar pas fitores me Serbinë dhe a keni një mesazh për tifozët?

“Pas kualifikimit në evropian, mund të them 7 nga 10 dhe pas kësaj fitoreje 8.5 dhe ndoshta 9. Përveç trajner dhe ish-lojtar jam mjaftueshëm inteligjent dhe e kuptoj rëndësinë që kishte edhe jashtë fushe ndeshja me Serbinë. Është një kombëtare që lufton me gjak, shpirtë e zemër. Mund të ndodhë të humbasësh një rast, të mos shënosh një gol, por asnjëherë nuk  kanë munguar lojtarëve këto elemente. As kombëtares.”

Urimin më i bukur për fitoren nga kush ka ardhur?

“Ka patur shumë dhe të gjitha kanë qenë të rëndësishme. Duke nisur nga familja, por mund të them se para 10 ditësh isha bashkë me stafin e kombëtares dhe pata një videocall me Mancin-in. Pas ndeshjes me Serbinë më ka shruar ‘bravo silvjo ke bërë shunë mirë’.”

Kishte njerëz para ndeshjes me Serbinë që thonin se duhej shkarkuar, por tani janë pro se mund ta çoni kombëtaren në Botëror…

“Nuk mendoj asgjë. Jeta e një trajneri, futbollisti ka shumë ulje-ngritje dhe për këtë po u japim shembullin e Rey Manaj në 2014 ishte te Interi dhe sot është golashënues në kombëtare, por kur nuk shënon thonin nuk bën dhe tani që ka shënuar thonë se bën. Kjo është jeta e një trajneri ose lojtari. Për të ardhmen time mendoj vetëm unë, por tani duhet të flasim për ndeshjet e radhës, sidomos për nëntorin.”

Sfida kundër Jordanisë do të luhet në Air Albania dhe do të nisë të martën në orën 19:00.

 

 

Ne.k./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?