Policia Rrugore ka ndëshkuar shoferët “e pabindur” ndaj rregullave të qarkullimit në Rrugën e Kombit dhe në aksin rrugor Milot-Rubik, duke i pezulluar patentat 78 prej tyre.
Policia njofton se makina inteligjente dhe radarët automatikë në Rrugën e Kombit kanë konstatuar mjete që lëviznin me shpejtësi deri 218 km/h, ku shpejtësia maksimale e lëvizjes në këtë aks është 100 km/h.
Ndërsa në aksin Milot-Rubik e anasjelltas, janë konstatuar automjete duke lëvizur me shpejtësi nga 118 km/h deri në 164 km/h, në një aks pa ndriçim, në të cilin po kryhen edhe punime.
Për pasojë janë pezulluar 78 leje drejtimi, 369 shoferë janë gjobitur me 4000 deri në 10.000 lekë për tejkalim të shpejtësisë së lejuar dhe 16 janë gjobitur me 10 mijë lekë për parakalime të gabuara.
Gjatë ditës së sotme, makina inteligjente është zhvendosur në një tjetër qark të vendit. Policia i bën apel shoferëve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur aksidentet.