Përmes transfertave apo dërgesave cash, emigrantët vijojnë të kapin vlera rekord për paratë që u sjellin të afërmeve të tyre. 772 milionë euro janë remitancat e dërguara nga janari deri në shtator të këtij viti, me një rritje prej 95 milionë eurosh krahasuar me të njëjtin 9-mujor të vitit të kaluar.
“Prurjet valutore të emigrantëve shënuan rreth 262 milionë euro, në rritje vjetore (13%). Gjatë periudhës është vërejtur zgjerim jo vetëm në volumin e dërgesave përmes kanaleve formale (sistem bankar), por edhe prurjeve në cash.”, thotë Banka në raportin e saj.
Referuar raportit të Bankës së Shqipërisë kjo rritje e shpejtë dhe e pandalur e remitancave dëshmon dy zhvillime thelbësore; së pari është shtuar numri i emigrantëve shqiptarë nëpër botë, dhe së dyti financim më i madh i familjeve në kushtet e rritjes së kostove të jetesës.
Vetëm përgjatë tre muajve, korrik-shtator emigrantët kanë sjellë përmes kanaleve zyrtare 262 milionë euro remitanca, 29 milionë euro më shumë se i njëjti tremujor i vitit të kaluar. Por gjatë këtij tremujori ku kulmon edhe sezoni turistik dërgesat e emigrantëve kanë qenë edhe më të larta, për shkak se miliona euro vijnë cash, pasi ata kthehen në vend për pushime.
Referuar shifrave të bankës qendrore pjesa më e madhe e remitancave vjen nga Italia dhe Greqia, ndjekur më pas nga SHBA dhe Gjermania. Përgjatë vitit të kaluar dërgesat e emigrantëve kanë arritur vlera rekord që prej 2008-s, pasi emigrantët sollën në vend 929 milionë euro duke u rritur me 95 milionë euro në raport me vitin 2022. Ky rekord mesa duket do të thyhet përsëri edhe këtë vit, për shkak të shifrave të larta të dërgesave.
Por edhe pse dërgesat sa vijnë e shtohen, zhvlerësimi i euros ka bërë që familjet shqiptare të marrin më pak para në momentin kur bëjnë konvertimin e eurove në lekë.