Skena e teatrit Eksperimental është shndërruar në një kopsht shumëngjyrësh. “Lulet e Idës së Vogël”, presin të bjerë muzgu e të nisin ballon e tyre, së cilës vogëlushja kërkon t’i bashkohet… Prestigjiatori do ta ndihmojë në ëndrrën e saj për të vallëzuar, duke i mësuar se natyra e lulet mbartin ‘jetë” dhe duhen trajtuar sikur të kishin “zemër”…Gjatë shfaqjes fëmijët e kopshteve të kryeqytetit me pafajësinë e tyre shndërrohen nga publik në pjesëmarrës në lojë…
Elastike në skenë Rexhina Ibro sjell me elegancë lëvizjet e Idës që ëndërron të bëhet balerinë. 8 vite studime në Shkollën e Baletit bëjnë që aktorja t’i vesh lehtësish petkat e protagonistes së përrallës. Është shfaqja e nëntë për të, përballë publikut fëmijë.
“Janë gjithmonë emocione shumë më të bukura, se sa përballë publikut të rritur, pasi fëmijët janë shumë të sinqertë në emocionet, duartrokitjet apo edhe reagimet që kanë kur ne jemi në skenë. Fëmijët janë shumë të vërtetë, nuk gënjehen lehtë, dhe është vështirë ti bindësh për vërtetësinë e asaj që ndodh në skenë. Por, janë gjithmonë të bukura duartrokitjet dhe në fund përqafimet e tyre”, thotë aktorja Rexhina Ibro.
Këto shfaqje janë mundësi të dyfishta, për edukimin e fëmijëve, por edhe për aktorët e rinj, që ëndërrojnë skenën. Kështu, prestigjatori i shfaqjes për fëmijë, Kevin Rrapaj, është në vit të fundit të studimeve master për Regji. E ndonëse të pakta skenat teatrale në vend, ai ka nisur të krijojë eksperiencën e tij si aktor, por edhe në regji.
“Ideja është që ne të kemi sa më shumë mundësi për audicione, që të tregojmë veten dhe pse jo të zgjidhemi të pjesë në shfaqje të ndryshme për fëmijë, të rritur, film, televizion... Mundësitë janë, ne duhet t’i ndjekim por edhe ata lart të mendojnë pak më shumë” thotë aktori Kevin Rrapaj.
E përshtatur nga Shegushe Bebeti, “Lulet e Idës së Vogël”, e sjell aktoren e njohur të Teatrit të Kukullave sërish si regjisore. Mbi 4 dekada në teatër, duket se e ka të lehtë komunikimin skenik me brezin e ri.
“Shegushe ka një jetë që merret me fëmijët dhe eksperienca që na ka transmetuar është shumë e vyer dhe besoj do të na vlejë në të ardhmen”
Etja për teatër, ndihet si tek vogëlushët, ashtu edhe tek artistët, e në kushtet kur ende ofrohet si zgjidhje teatri online, aktorët ndiejnë nevojën për më shumë hapësirë...
“Në dorën tonë nuk është, por teatri online nuk bëhet, kështu që shpresojmë të vazhdojë kështu”, shton Rrapaj.