Prezenca e investitorëve të huaj në Shqipëri u rrit edhe më shumë gjatë vitit të kaluar. Janë 1 miliardë e 584 milionë euro investime të huaja direkte që u injektuan në ekonominë e vendit në 2024-ën. Në raport me vitin 2023, investimet e huaja u rritën me 92 milionë euro thotë Banka e Shqipërisë.
Sektori që po udhëheq investimet është ai i pasurive të paluajtshme, që gjatë vitit të shkuar ka rrëmbyer 379 milionë euro nga investitorët e huaj. Prej vitesh të huaj po investojnë në prona të patundshme në Shqipëri, kjo faktohet edhe nga vrojtimet që banka qendrore kryen mbi këtë treg, ku rezulton se rreth 1/3 e banesave të shitura blihen nga të huaj, kryesisht në zonat rreth qendrës së Tiranës dhe në bregdet.
Tregu i pronave ndiqet pas nga industri nxjerrëse me 214 milionë euro investime, industria përpunuese me 173 milionë euro dhe energjia elektrike që ka përfituar me 166 milionë euro.
Vetëm në tremujorin e fundit të vitit banka thotë se të huajt kanë investuar 423 milionë euro, ku pjesa dërrmuese ishte fitim i ri investuar, dhe shumë pak injektim i ri.
“Fluksi hyrës nga investimet e huaja direkte shënon 423 milionë euro, i zgjeruar në terma vjetorë me 7%. Injektimi me kapital të ri dhe riinvestimi shënuan 418 milionë euro, pa lëvizje të konsiderueshme (ose +0.2%) nga niveli i regjistruar në një vit më parë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri.
Komente

NDERTIMI DUHET KUFIZUAR NE TIRANE,,SEPSE KA SJELLE CILESI TE ULET JETESE,,,PLUHUR,,DHE NDOTJE,,,,,DHE SHKATARRIM TE LULISHTEVE,,,,,ASNJE LULISHTE NUK NDERTOI LAL PLEHU,,,,,VETEM SHKATARROI,,,,POR ZOTI I SHIHKA TE GJITHA......
Përgjigju