Në Shqipëri në vitin 2024 lindën pak më shumë se 22 mijë bebe, dhe sipas shifrave gati gjysma e tyre erdhën në jetë përmes lindjeve çezariane.
Frika nga dhimbjet e lindjes, si arsye kryesore, po shtyjnë gjithnjë e më shumë gra të zgjedhin operacionin në vend të natyrales për të sjellë në jetë të vegjlit e tyre. Sidomos dekada e fundit ka shënuar një rritje të ndjeshme.
“Arsyeja se pse kemi këtë trend rritjeje është sepse një pjesë e madhe e femrave e konsiderojnë lindjen çezariane, si më komode dhe më pak të dhimbshme”, tha Jonida Dautllari, mjeke obstetër gjinekologe.
Dautllari thekson se lindja natyrale mbetet më e sigurt dhe më e favorshme për shëndetin e nënës dhe foshnjës.
'Interventit janë më të larta. Gjithashtu faza e rikuperimit që kërkon një grua pas lindjes vaginale është shumë herë më e shkurtër. Në lindjet me operacion gjidhënia është pak më e vonuar. Risku për një infeksion është më i lartë se sa kur lindja është natyrale. Po ashtu lindja vaginale ka benefitet për bebin”, tha ajo.
Po kur është e nevojshme lindja me prerje cezariane?
“Një problematikë gjatë procesit të aktit të lindjes, apo në rast të sëmundjeve të nënës dhe në situata të caktuara që bebi ka problematika, lindja çezariane mund të jetë alternativa më e mirë se sa ajo vaginale', tha ajo.
Në një tjetër aspekt, kirurgu plastik Panajot Papa vë në dukje se gratë që kanë lindur me operacion janë ato që kërkojnë ë së shumti ndërhyrjet estetike.
“Gratë që kanë lindur në mënyrë çezariane edhe kanë atë pjesën e prerjes, varet pak lëkura. Janë pikërisht ato që e shohin vetën e tyre në pasqyrë dhe kujtojnë trupin e tyre ka qenë pa asnjë defekt. Janë pikërisht ato që i drejtohen edhe operacioneve plastike', tha ai.
Sipas shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë prerja cezariane është në rritje globale. Aktualisht, më shumë se një në pesë lindje, konkretisht 21 për qind, kryhen me këtë metodë, ndërsa prilli ishte globalisht muaji i ndërgjegjësimi për lindjen cezariane.
Komente
