Teksa në SHBA numri i përgjithshëm i personave të identifikuar pozitiv nga koronavirusi është rritur në më shumë se 2.5 milionë dhe javët e fundit janë rritur rastet e të prekurve, Zv/Presidenti Mike Pence ka fajësuar kryesisht të rinjtë, që sipas tij kanë injoruar paralajmërimet për respektimin e masave parandaluese për të frenuar përhapjen e Covid.
Pence tha se “padyshim” që rritja e numrit të testimeve në Shtetet e Bashkuara ka çuar në rritjen e infeksioneve të koronavirusit, por të rinjtë, duke u grumbulluar në tubime festuese, kanë shpërfillur udhëzimet federale për fazat e rihapjes.
Numri i rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm ditët e fundit, veçanërisht në Florida, Teksas dhe Arizona, shtete që ndodhen në një distancë të madhe mes njëri-tjetrit. Në total, Shtetet e Bashkuara kanë raportuar gjithashtu se totali I viktimave është rritur në rreth 126 mijë.
Pence tha se presidenti Donald Trump mbështet masat e marra nga guvernatorët në Florida dhe Teksas për të mbyllur përsëri baret dhe për të ulur në 50% kapacitetet e restoranteve, me qëllim për të parandaluar mbledhjen e njerëzve që nuk respktojnë rregullat e distancimit fizik prej të paktën dy metrash dhe përdorimin e maskave. Por ai tha se administrata amerikane nuk mendon se është e nevojshme që të imponohen udhëzime kombëtare të detyrueshme për përdorimin e maskave.