Muajt e nxehta të verës janë shoqëruar edhe me një tendencë në rritje të konsumuesve të pijeve alkoolike. Për mjekët toksikologë në QSUT, shqetësuese është ulja e moshës së përdoruesve të alkoolit, pasi në urgjencë po paraqiten në gjendje kome edhe të mitur.
“Në eksperiencën tonë kemi pasur raste të adoleshentëve në moshën e gjimnazit nga mosha 14-15 dhe 16 vjeçar që janë paraqitur pranë urgjencës si pasojë e intoksikacioneve alkoolike”, thotë për Report Tv, Irena Marko, mjeke toksikologe në QSU.
Ajo thotë se më të rrezikuar nga konsumi i tepërt i alkoolit janë adoleshentët, gratë dhe personat me sëmundje kronike.
“Personat që kalojnë dozën e lejuar të alkoolit kërkojnë ndihmë shëndetësore. Janë më të rrezikuar moshat e reja sidomos adoleshentët, femrat për arsye të peshës trupore që kanë, ka dhe konsumues të moshave të mëdha që kanë edhe sëmundje bashkëshoqëruese që edhe ata kërkojnë ndihmë shëndetësore”.
Pasojat e konsumimit të pijeve alkolike janë të rënda, deri në gjendje kome.
“Rastet e urgjencës fillojnë nga problemet më të thjeshta, që mund të jenë një gjendje diskonforti, mund të kenë emezis masiv, kalojnë me alternimeve të vetëdijes, dhe gjendja më e rëndë në kalimin e komatozës”, shprehet doktoresha Marko.
Ndër të tjera, konsumimi i alkoolit në periudha kohore afatgjata shkakton probleme në mëlçi e tru si dhe shkakton disa lloje tumoresh, ndaj mjekët bëjnë thirrje që të shmanget.