Të rinjtë e Durrësit po tregojnë një lidhje të veçantë me sportin e tenisit, që vijon të mos jetë shumë i përhapur në vendin tonë. Gjithsesi tre tenistë të moshave të ndryshme janë vlerësuar si ‘sportistët e vitit’ nga federata e kësaj displine. Për ‘Report TV’ ata thonë se çmime të tilla janë motivim për të vazhduar në të ardhmen.
“Kemi fituar çmimin e sportistit të vitit për moshën U-16, personalisht. Është një shpërblim shumë i mirë, i vlefshëm për një punë të palodhshme dhe të pandarë,”-u shpreh Arlis Muka, tenist.
“Për mua të luaj tenis është një emocion shumë e madhe, një kënaqësi e madhe,”-tha Aleks Prifti, tenist.
“Tenisi është një sport shumë i vështirë që duhet ti përkushtohesh shumë që të arrish rezultate shumë të mira,”-deklaroi Anjel Hoxha, teniste.
Meritë për vlerësimin e tenistëve të rinj ka padiskutim trajneri durrsak Maks Prifti, i cili në përditshmërinë e tij përballet me shumë probleme që sporti ka në Shqipëri.
“Është rezultat i një punë të vazhdueshme disa vjeçare, në kohë të mirë dhe në disa raste jo shumë të përshtatshme. Infrastruktura lë për të dëshiruar, por pasioni dhe dëshira e fëmijëve është shumë e madhe. Rezultatet pas një pune të vazhdueshme vijnë vetë,"-tha Maks Prifti, trajner tenisi.
Për sportistët e ‘Tenis Plus’ vlerësimet kanë qenë të vazhdueshme nga federate e tenisit.