Sport

Bekim Balaj fiton Topin e Artë dhe Këpucën e Artë për 2024-ën! Juxhin Xhaja arbitri i vitit, Berat Gjimshiti lojtari më i mirë i Kombëtares

27 Janar, 20:22| Përditesimi: 28 Janar, 14:39

  • Share

TIRANË - Bekim Balaj është shpallur “Topi i Artë” 2024 dhe “Këpucës së Artë” në kampionatin “Abissnet Superiore”. Me 18 gola në 36 ndeshje gjatë sezonit 2023-2024, Futbollisti i Vllaznisë fitoi çmimin e futbollisti më të mirë të vitit, pas një gare të fortë me Arinaldo Rrapajn, Albano Aleksin dhe Ermir Rashicën.

Çmimin e “Topit të Artë” në Mbrëmjen Gala ia dorëzoi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e uroi Balajn për këtë arritje, ndërsa çmimin e “Këpucës së Artë” ia dorëzoi legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari. 

Nga ana e tij, sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj, përgëzoi FSHF-në për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm dhe shprehu kënaqësinë e tij për fitimin e çmimit më të rëndësishëm të mbrëmjes.

Nga femrat, Ezmiralda Franja, mesfushorja e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë është fituese e “Topit të Artë” 2024. Në garë për këtë çmim tepër të rëndësishëm ishin edhe futbollistet, Xhesika Ndoj (Apolonia), Mesuare Begallo (Gramshi) dhe Vanesa Levendi (Apolonia).

Ermir Rashica, futbollisti i talentuar i Skënderbeut, është shpallur “Talent i Vitit” 2024. Për vajzat, Xhesika Ndoj, futbollistja e talentuar e Apolonisë u shpall fituese e këtij trofeu të veçantë. 

Juxhin Xhaja u shpall arbitri më i mirë në 2024, ndërsa Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”. Çmimin e veçantë ia dorëzoi trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, Sevime Gjimshitit, nënës së Berat Gjimshitit,  i cili për shkak të angazhimeve me klubin e tij, e kishte të pamundur të ishte i pranishëm.

Një moment i veçantë ishte ndarja e çmimit “Zemër Kuq e Zi” për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani. Ky çmim prestigjioz, përzgjedhur nga stafi teknik i Kombëtares, nderon shpirtin e tij të jashtëzakonshëm të garës, pasionin e madh për fanellën kuqezi dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje.

Ky është viti i tretë radhazi që mbahet ky event, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. 

Ora 21:53
Ezmiralda Franja mer 'Topin e Artë' për vajza 2024

Ezmiralda Franja, mesfushorja e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë është “Topi i Artë” 2024. Në garë për këtë çmim tepër të rëndësishëm ishin edhe futbollistet, Xhesika Ndoj (Apolonia), Mesuare Begallo (Gramshi) dhe Vanesa Levendi (Apolonia).

Trofeun e rëndësishëm ia dorëzoi Ezmiralda Franjes i ftuari special i FSHF-së në këtë event special, Gaizka Mendieta. Ish-futbollisti i njohur ka qenë kapiten i Valencias, ka luajtur me Barcelonën, Lazion etj, si edhe me kombëtaren e Spanjës. Mendieta përshëndeti të pranishmit dhe uroi Franjën e të gjithë fituesit e tjerë të këtij edicioni të “Topit të Artë”. “Është nder të jem sot këtu. Përgëzoj fituesit dhe i them të vazhdojnë të frymëzojnë të rinjtë. Përgëzoj Federatën për punën”

Ezmiralda Franja fiton për herë të parë këtë trofe, teksa ka qenë në listën e të nominuareve edhe në edicionet e kaluara. Mes shumë emocionesh, mesfushorja e talentuar tha: Sot jam shumë e lumtur, nuk e kam menduar që do arrija kaq lart kur nisa të luaja futboll. Falënderoj Presidentin e Vllaznisë, Lazer Matija dhe shoqet e ekipit që bënë të mundur që unë të fitoj këtë trofe. Ia dedikoj familjes time dhe në veçanti mamit tim, që ëndërroi të bëhej futbolliste, por nuk ia doli dot”.

Ora 21:32
Çmimi 'Zemër Kuq e Zi' i jepet futbollistit të Kombëtares, Ylber Ramadani

Pjesëmarrja historike e Kombëtares në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” ishte kurorëzimi i një viti të paharrueshëm për futbollin shqiptar. Kuqezinjtë treguan zemër dhe shumë guxim përballë tri skuadrave më të mëdha në kontinent, duke përjetuar një eksperiencë të jashtëzakonshme që na bëri krenarë të gjithëve.

Në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit , një moment i veçantë ishte ndarja e çmimit “Zemër Kuq e Zi” për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani.

Ky çmim prestigjioz, përzgjedhur nga stafi teknik i Kombëtares, nderon shpirtin e tij të jashtëzakonshëm të garës, pasionin e madh për fanellën kuqezi dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje.

Çmimi “Zemër Kuq e Zi” iu dorëzua Ramadanit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe tifozi i Kombëtares, Besmir Limani, i njohur ndryshe si “Fytyra me Shqiponjë”.

I emocinuar, mesfushori kuqezi tha: “I nderuar që marr këtë çmim dhe premtoj që do të jap më shumë që të ecë përpara Shqipëria”.

Ora 21:18
'Topi i Artë'/ Berat Gjimshiti zgjidhet nga futbollistët e Kombëtares 'Lojtari i Vitit i Kombëtares'

Në një ceremoni të organizuar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit nga Federata e Futbollit, Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.

Çmimin e veçantë ia dorëzoi trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, Sevime Gjimshitit, nënës së Berat Gjimshitit,  i cili për shkak të angazhimeve me klubin e tij, e kishte të pamundur të ishte i pranishëm.

Gjimshiti, që aktivizohet me Atalantën në Serie A dhe mban shiritin e kapitenit te Kombëtarja shqiptare, ka pasur një vit të jashtëzakonshëm. Ai udhëhoqi Atalantën drejt triumfit historik në UEFA Europa League dhe ishte një figurë kyçe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë nga votat e lojtarëve të Kombëtares.

Ora 20:46
Më të mirët e vitit në futbollin shqiptar, Xhesika Ndoj shpallet 'Talentja e Vitit' 2024 për vajza

1738007298_xhesikandoj.JPG

Në mbrëmjen gala të organizuar sonte nga FSHF në Teatrin e Operas dhe Baletit, dy nga çmimet më të veçanta ishin ato për “Talentin e Vitit” për djem e vajza. Mes vajzave të nominurara për këtë trofe ishin: Angela Nikaj, Klesta Ago, Herta Hasa dhe Xhesika Ndoj.

Xhesika Ndoj, futbollistja e talentuar e Apolonisë u shpall fituese e këtij trofeu të veçantë për vajza, “Talentja e vitit” 2024. E karakterizuar nga shpirti i garës dhe dashuria e madhe për futbollin, lojtarja e Apolonisë është vlerësuar për të fituar këtë çmim të rëndësishëm dhe motivues për të ardhmen.

Trajnerja e ekipit Kombëtar U-19 për vajza, Luçije Gjini u ngjit në skenë për t’i dorëzuar Xhesikës trofeun.

Ora 20:43
Më të mirët e 2024-ës në futbollin shqiptar, Ermir Rashica fiton çmimin 'Talenti i Vitit' për djem

1738007085_ermirrashica.JPG

Një nga çmimet më të rëndësishme të Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024 ishte padyshim edhe çmimi për “Talentin e Vitit” për djem. Ermir Rashica, futbollisti i talentuar i Skënderbeut, është shpallur “Talent i Vitit” 2024, ndërsa në garë për këtë çmim ishin edhe Ermal Meta i Tiranës, Ledjo Tresa i Laçit dhe Ergis Arifi i Teutës.

Sulmuesi i Skënderbeut zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke shënuar gola të rëndësishëm dhe duke udhëhequr skuadrën drejt objektivit “Final Four”.

Çmimin Ermir Rashicës ia dorëzuan djemtë e dy legjendave të futbollit shqiptar, Sefedin Braho dhe Sabah Bizi, të cilët janë ndarë nga jeta. Mes emocioneve, Florian Braho dhe Brikeno Bizi uruan Rashicën për këtë çmim të veçantë.

Pas marrjes së çmimit, Ermir Rashica falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i shprehu mirënjohjen për vlerësimin.

G.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?