U thosha arvanitëve: “U’ te ju kam shpirtin tim!”. Gjashtëdhjetë vjet me radhë albanologu grek bëri kërkime për arbëreshët dhe arvanitasit, të cilëve u ka kushtuar studime të shumta dhe një sërë monografish të pasura me të dhëna historike, antropologjike dhe sidomos gjuhësore që dëshmojnë visarin e paçmueshëm që ruhet nga komunitetet arvanite të Greqisë, si Atika, Peloponezi, Hidra dhe vepra për historinë shqiptare.
Moto të punës së tij mban proverbin arvanit: “S’ është faji i diellit, pse lakuriqët e natës nuk mund të shikojnë ditën”.
Ishte viti 1965 kur një student i ri grek mbërriti në Palermo të Italisë, për të kryer studimet në albanologji, fill pasi mbrojti diplomën në Universitetin Capodistria të Athinës. Jepte mësim në kurset e gjuhës greke në Universitetin e Palermos dhe kryente specializimin në filologji moderne pranë katedrës helenistike dhe në albanologji pranë katedrës së themeluar nga Gaetano Petrotta, që asokohe drejtohej prej Zef Valentinit.
Gjuha dhe kultura e arvanitasve të Greqisë dhe ajo e arbëreshëve të Italisë është një oaz ende i lulëzuar për albanologët. Titos Jochalas jeton duke zbuluar e gjurmuar të folmen dhe shpirtin e arvanitasve. Fillimisht punonjës shkencor i Akademisë së Athinës, Titos Jochalas-i shkonte nëpër fshatra në mbarë Greqinë të mblidhte lëndë leksikore. Zgjidhte vendbanime që ndodheshin përbri fshatrash me arvanitë.
Pasi mbaronte detyrat e shtëpisë me greqishten, Titoja u kthehej detyrave të albanologjisë, trokiste në dyert e zemrat e arvanitëve dhe u thosh: U tek ju kam shpirtin tim! Titos Jochalas pati fatin të ulej në të njëjtat banka ku janë ulur rilindasit arvanitas e ata shqiptarë në gjimnazin Zosimea të Janinës, ku ul Kstoforidhi i arvanishtes dhe Naim Frashëri.
Nuk ka lënë katund të arvanitëve pa njohur e eksploruar si leksikolog, si etnolog e antropolog, si historian, duke ndikuar në albanologjinë greke dhe albanologjinë që zhvillohet në Tiranë e në Prishtinë. Ai ndoqi traditën më të vyer të albanologjisë dyshekullore në Greqi, duke i bërë shërbime të çmuara shkencës dhe origjinës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Atë e mahnit arvanitishtja e Andros, Eubesë, Idras dhe Moresë. Botimin e një monografie për Arvanitët e ishullit Andros dhe për gjuhën e tyre T. Jochalasi e kishte paralajmëruar që në vitin 1997 -n në librin e tij “Përralla dhe besime Arvanite”.
Këto tekste popullore arvanite të botuara në përkthimin greqisht do t’i botonte edhe në origjinal në një seri monografish të veçanta. Në vitin 2000 u botua monografia Andros – Arvanitët dhe arvanitishtja. Androsi është një ishull i madh në detin Egje, në Lindje të Atikës e në JugLindje të Eubesë. Në pjesën veriore të tij gjenden 29 fshatra arvanite. Monografia bën fjalë për historinë e këtij ngulimi arvanit dhe jetën e banorëve të tij.
Ka mbledhur lëndë të shqipes në fshatrat që ende mbajnë emra shqip; Baltiza, Dardhëza, Dëllënja, Guri Gljat, Guri Math, Kronjëza, Ledhëza, Livadheza, Ljum, Katundi i Math, Shinbejtri, Shinjani etj dhe rreth 70 tekste e copa këngësh, që japin një ide pak a shumë të plotë të veçorive gjuhësore të kësaj së folmeje.
Ka botuar “Arvanitishtja e Eubesë”, ishullit më të madh të Greqisë pas Kretës, në veri të Androsit. Ngulimet arvanite gjenden në pjesën jugore të ishullit, në drejtim të Androsit. Titos Jochalas përshkruan 65 fshatra arvanite të Eubesë Jugore, toponimi dhe të dhëna historike, dhe një lëndë e pasur gjuhësore; përrallëza e rrëfenja të shkurtra, përshkrime të punëve të fshatit, këngë të ndryshme.
Në vitin 2006 T. Jochalas botoi një monografi tjetër në dy vëllime “Hidra, gjuha e harruar. Hidra shtrihet përballë gadishullit të Argolidës në pjesën verilindore të Peloponezit. Me interes të veçantë është “Fjalori i arvanitishtes së Hidrës”, mbledhur nga Jochalas-i në vitet 1987 dhe 2002-2004. Këtu gjejmë dhe fjalën arbërisht (Di arbërisht? – e pyetën më 1987) dhe arbëror (Aj nëk ishtë arbëror).
Më 2011 u botua monografia e katërt e prof. T. Jochalas, “Arvanitishtja e Moresë”, një përshkrim i përgjithshëm i fshatrave arvanite të Moresë sipas krahinave: Zaraka e Lakonisë (pjesa juglindore e Moresë), Mesinía, (pjesa jugperëndimore), Argolida (pjesa qendrore-lindore), Korinti (pjesa verilindore). Pëfshihen tekstet folklorike, këngë e rrëfenjëza, si dhe dialogë e biseda të thjeshta, të cilat dëshmojnë edhe sa e fortë ka qëndruar, po edhe sa shumë është gërryer arvanitishtja pas kaq shekujsh.
Më 2019 prof. T. Jochalas boton “Fshatrat shqipfolese te Thrakës, histori dhe gjuhë” me shumë tekste dhe vjersha popullore dhe një fjalor mjaft të pasur. Është një dokumentim i ngulimeve shqiptare të asaj ane prej nga ka dalë edhe Fan Noli.
Gjatë katër viteve të qëndrimit në Palermo Jochalasi njohu nga afër komunitetin arbëresh të Horës dhe studioi me vëmendje të veçantëarbëreshët e Sicilisë. Lidhi një miqësi të fortë e bashkëpunim të frytshëm me arbëreshin e madh Antonio Guzzetta, i biri i Giorgio Guzzetta-s, themelues i seminarit greko-shqiptar të Palermos.
I vlerësuar si besniku i albanologjisë, Jochalas-i 26 vjeç, i ndodhur në Palermo, i dërgonte një letër prof. Eqrem Çabejt.
“Âsht mire, qi kjo botë shkencore e Shqipnis t’u bâhet e njoftun edhe grekvet, gjâ qi unë do të përpiqem ta zbatoj." dhe shtonte “Ju kuptoni mâ mirë se tjetërkush se ç’rândësi kanë studimet shqipe në Greqi.”
Ishte koha kur ai botoi librin “Studimet albanologjike në Greqi”
Pothuajse gjashtëdhjetë vjet me radhë ai bëri kërkime për arbëreshët dhe arvanitasit të cilëve u ka kushtuar përkatësisht studime të shumta dhe një sërë monografish të pasura me të dhëna historike, antropologjike dhe sidomos gjuhësore që dëshmojnë visarin e paçmueshëm që ruhet nga komunitetet arvanite të Greqisë.
Gjatë vitit akademik 1967-1968 Jochalasi diplomohet me një tezë me titullin Tekste greko-shqiptare të Çamërisë (Thesprotisë) me një pasuri të rrallë gjuhësore të arbërishtes dhe të trashëgimisë së saj letrare. Atje gjeti dhe shoqen e tij të jetës Lidian. Falë saj, Sicilia mbeti dashuria e tij e përjetshme. Historisë së mërgimit të shqiptarëve drejt Italisë, Jochalasi i ka kushtuar një pjesë të mirë të energjive të tij intelektuale
Titos Jochalas arvanitët i donte ata edhe kur s’i deshnin, i çmonte edhe kur i mohonin, i promovonte edhe kur ishte e ndaluar t’u përmendej identiteti, i bëri të njohur në botë. Titos Jochalas është personaliteti më i rëndësishëm i albanologjisë në Athinë dhe vepra e tij mund të krahasohet me punën e një instituti. Ai i ka dhuruar albanologjisë vepra themelore për arvanitët e Atikës, të Peloponezit, të Hidrës; vepra për historinë shqiptare që nga Gjergj Kastrioti, Ali pasha i Tepelenës, kapedanët shqiptarë të revolucionit grek të 1821-së, Fan Nolin dhe figura të tjera.
Është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti 2012, dhe punonjës shkencor për shumë vite i Akademisë së Shkencave të Greqisë.
Me studimet e tij ai bashkoi arvanitë e arbëreshë; bashkoi të dyja këto bashkësi dijetarësh me studiuesit shqiptarë dhe ata të helenistikës në vendet e tyre; bashkoi në një rreth edhe më të gjerë të gjithë këta të fundit me studimet ballkanistike dhe në një rreth akoma dhe më të gjerë bashkoi studimet ballkanistike me qendrat e albanologjisë dhe të helenistikës në Europë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetiu.
Akademia e Shkencave ka parashikuar të botojë katër vëllime me leksik dhe studime për arvanitët e Atikës, përgatitur prej albanologut të njohur grek Titos Jochalas.
Arvanit eshte greqezimi i perdorur per arbereshe. Pra jane e njejta gje. Dhe ishin dhe mbeten boshti i Greqise moderne pas shkeputjes nga otomanet. Per fat te keq, ne "shqiptaret" e 100 viteve te mepasshem edhe sot mbetem koke e byth me otomanet e rinj.
PërgjigjuKëto shko e thuaju politikanëve grekë dhe sidomos akademisë greke të shkencave dhe akoma më shumë kishës greke që të njohin dhe të mbrojnë me ligj komunitetet arvanitase. Ndryshe nuk kanë kuptuar asgjë nga historia e tyre dhe e mbarë njerëzimit.
Përgjigju