Njohur si Qyteti i Luleve me resurse të shumta natyrore, Përmeti është kthyer në destinacion të preferuar turistik sidomos gjatë sezonit veror. Objekt i vizitave janë Kisha e Leusës, Banjat e Bënjës, lagje e vjetër e qytetit, kanioni i Langaricës, apo dhe rafting në rrjedhën e Vjosës.
Në bazë të statistikave zyrtare, llogaritur nga qendrimi në hotele e bujtina Përmetin e kanë vizituar në tetë muaj mbi 110 mijë turistë shumica prej tyre të huaj. Thënë ndryshe në raport me vitin e kaluar është vërejtur një rritje në kufijtë e 30%. Kjo padyshim është produktive për mirëqënien e banorëve por dhe zhvillimin e mëtejshëm turistik të këtij qyteti.
Sipas kreut të Zyrës së Turizmit në Bashkinë e Përmetit Edjon Maliqi, rrallë gjen turistë ditorë pasi shumica e rasteve kanë qenë vizitorë që kanë qëndruar minimalisht 2 ditë në Përmet. Kjo për shkak të numrit të madh të atraksioneve turistike që ka Përmeti, mikpritjes dhe kulinarisë së pasur.
Qyteti i Përmetit vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm kapacitetet akomoduese dhe kjo për shkak të shtimit të kërkesës për të vizituar këtë qytet jo vetëm në muajt e verës, por dhe vjeshte e dimër.