“Tani e kuptoj që kam vepruar në një mënyrë që i bënte njerëzit të ndiheshin jo rehat. Ishte e paqëllimtë dhe për këtë kërkoj realisht falje", është shprehur kështu për akuzat e ngritura ndaj tij për ngacmime seksuale ndaj disa grave guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo. Megjithatë guvernatori theksoi se ai në asnjë moment nuk kishte prekur dikë në mënyrë të papërshtatshme, por shtoi se kishte ndërmend të qëndronte në detyrë.
Cuomo tha se do të "bashkëpunojë plotësisht" me hetimet që ka nisur zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit lidhur me akuzat për ngacmim seksual.
Për ditë me rradhë ai i shmangi paraqitjet publike ndërsa disa nga koleget e tij demokratë i kanë bërë thirrje për dorëheqje.
Ish-ndihmësja e tij, Charlotte Bennett, 25 vjeç, ka thënë se Cuomo e kishte pyetur atë mbi jetën e saj seksuale dhe nëse do të ishte e hapur për një marrëdhënie me një burrë të moshuar. Bennett e ka refuzuar kërkesën për falje të Cuomo, gjatë të cilës ai tha se kishte bërë "shaka" dhe se shakatë e tij ishin keqinterpretuar si flirtim.
Një ish-ndihmëse tjetër, Lindsey Boylan, tha se ai kishte komentuar pamjen e jashtme të saj në mënyrë të papërshtatshme dhe se në fund të një takimi e kishte puthur pa pëlqimin e saj. Ajo tha se Cuomo i kishte sugjeruar një herë që të luanin “poker me striptizëm” ndërsa ndodheshin në një avion në pronësi të shtetit. Një tjetër grua, Anna Ruch, i tha “New York Times” se gjatë një ceremonie martesore në shtator 2019-s Cuomo i kishte vendosur të dyja duart në fytyrë dhe e kishte pyetur nëse mund ta puthte.