Politikë

Meta mesazh nga qelia pasi nuk fitoi, pranon rrudhjen e partisë: Nuk lejoj asnjë marifet djallëzor për t’u bërë deputet nëpërmjet dorëheqjeve

18 Maj, 14:39| Përditesimi: 18 Maj, 16:24

  • Share

Kryetari i Partisë së Lirisë ka reaguar për rezultatin e dobët zgjedhor që arriti më 11 maj, duke mos e siguruar dot mandatin e deputetit nga lista e hapur e qarkut të Tiranës, për aleancën PD-ADSHM, ku bënte pjesë.

Me një mesazh nga qelia ai falënderon ata 8 mijë votues që i besuan, të cilët i quan “heronj besnikë”, teksa ngre akuza për makinerinë kriminale shtetërore të cenimit të standardeve zgjedhore

“Luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine”, shprehet ai.

Meta refuzon që të bëhet pjesë e “marifetit djallëzor” që të pranojë mandatin nëpërmjet skemës së dorëheqjes së dy kandidatëve deputetë të PL-së nga lista e sigurt, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.

Ai thekson se që nga 2008 kishte luftuar për Kushtetutën për votën e drejtë dhe të lirë dhe donte vetëm një “zgjedhje parimore dhe të hapur nga qytetarët”.

“Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë. Dua t'i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore, për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë”, nënvizon ai në mesazhin e dhënë në rrjetin social Facebook.

Partia e Lirisë siguroi vetëm 2 mandate nga lista e mbyllur për qarkun e Tiranës, kurse Meta u rendit i treti në listën e hapur, pas Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Shkak ishte edhe rezultati i dobët i aleancës së Sali Berishës, që mori vetëm një mandat nga lista e hapur, duke pësuar rënie në krahasim edhe me vitin 2021.

meta qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024 kur u arrestua me urdhër të SPAK dhe më pas masë sigurie nga GJKKO, për tre akuza.

Mesazhi i Ilir Metës në Facebook:

“Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cenoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij.

Për mua ata nuk janë votues, por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme.

Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.

Dua t'i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore, për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.

Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë, të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.

Një falenderim të veçantë edhe për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues, të cilët po vazhdojnë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të lartë të numërojnë dhe të mbrojnë çdo votë deri në votën e fundit”.

Postimi i Ilir Metës në Facebook

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?