Me vrap nga Prishtina në Tiranë për festën e Flamurit, Erzen Zyberaj për Report Tv: Jemi një! Ishte sfiduese, thirrja ime për mbështetje ra në vesh të shurdhët

29 Nëntor 2023, 12:36| Përditesimi: 29 Nëntor 2023, 14:11

  • Share

Erzen Zyberaj ia doli që të vrapojë nga Prishtina në Tiranë për ditën e Flamurit. Kushtet atmosferike ishin sfiduese për atletin, i cili kreu 260 km për 48 orë. Në një intervistë për Report Tv zuberaj thotë se mesazhi që përcjell është se shqiptarët janë dhe duhet të jenë një përgjithmonë.

“Sfiduese, se kushtet atmosferike kanë qenë pak të rënduara që në Prishtinë e deri në fund jam përballur me këto vështirësi. Por, këto janë asgjë në krahasim me atë çfarë njerëz në të kaluarën kanë kontribuuar për Shqipërinë, njerëzit kanë dhënë jetën, gjithçka për këtë ditë. Në nder të atyre njerëzve dhe atyre që vazhdojnë të kontribuojnë për vendin unë e kam dhënë një mesazh që të jemi një përgjithmonë. Ka pas erë, shi, borë, ma kanë ndaluar ritmin që kam menduar për të vrapuar. Më është dash të ndaloj kohë pas kohe për tu ndërruar.Diçka fizike nuk kam pas”, tha Zyberaj për Report Tv.

Me qeleshe në kokë dhe bluzë kuqezi, Zyberaj thotë se nuk e çoi në mendje për asnjë moment që të ndalej.

“Asnjëherë kurrë. As nuk më ka shkuar në mendje për të ndaluar”, theksoi ai.

Për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakimi, atleti nga Kosova thotë se thirrja e tij për mbështetje ra në vesh të shurdhër.

“Ditën që e kam bërë publike që do të vrapoj, kam kërkuar mbështetje nga institucionet shtetërore dhe biznese të ndryshme, por ka hasur në vesh të shurdhër kërkesa ime. Shoqëria ime e ngushtë e afër dhe disa biznese në Prishtinë më kanë ndihmuar sado pak”, vijon Zyberaj.

Për Zyberajn kjo është distanca më e gjatë që ka përshkruar ndonjëherë.

“Kjo është distanca më e gjatë në jetën time që kam përshkruar, pas asaj të vitit të kaluar 150 km që i kam bërë për 12 orë vitin e kaluar. Jam ndjerë i motivuar me përkrahjen dhe mbështetjen e tyre”, tha Zyberaj.

Ai tregon për Report Tv edhe perspektivën për të ardhmen.

"Ëndrra ime është të bëhem kampion bote në këto maratonat e gjatë, ultra martona. Jam në një moshë që ma lejon me vrapuar akoma. Shpresoj që me punë, disiplinë dhe angazhim të mos ndalem të punoj", përfundon Zyberaj. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?