Me Wizz Air drejt Polonisë për të eksploruar vendet me natyrë mbresëlënëse dhe histori të pabesueshme!

20 Maj, 14:48| Përditesimi: 21 Maj, 12:29

  • Share

Zakopane, Poloni

Ora shënon 20:00 e datës 7 Maj. Ndodhem në avionin e linjës ajrore Wizz Air për tu nisur nga Tirana drejt aeroportit të Krakow të Polonisë. Një udhëtim ky që e kisha ëndërruar prej kohësh, por asnjëherë nuk e kisha menduar magjinë e atij vendi, që e sigurt do mbetet për shumë gjatë në memorien time.

Fluturimi me Wizz Air që zgjati më pak se një orë e dyzetë minuta, ishte mjaft komod. Me të zbritur në aeroport, blemë lekun Polak Zloty pasi Eurot në 90% të vendeve nuk pranoheshin (sugjeroj që paratë të thyhen në Exchange në qytet ku kursi ishte më i mirë). Me autobusin e Zyrës së Turizmit Polak, drejt destinacionit të parë që do të shikonim, Zakopane, qytet në Jug të Polonisë. Menjëherë pas rrugës që zgjati rreth një orë, u akomoduam në Nosalowy Park Hotel, që ndodhej mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër.

Por aventura e vërtetë në Zakopane do të niste pas mëngjesit së ditës tjetër. Guida jonë, i quajtur Jacek na njohu me zonën që karakteristikë kishte ndërtesat me dru. Impresioni i parë ishte thjeshtë UOU.

Në çdo rrugicë që shkelje kishte vetëm godina të tilla, të vendosur pranë njëra tjetrës dhe me gardhe rrethues zbukurues që të linin hapësirë që ti të shijoje pamjen.

Qyteti me rreth 25 mijë banorë dhe me një klimë të lagësht kontinentale, kishte parqe dhe një pedonale mjaft të bukur e mbushur plot me turistë, dyqane markash dhe jo vetëm, me çmime mjaft të lira apo bare dhe restorante me ushqime tipike të Polonisë. Pa dyshim që “mbreti” i tavolinës dhe me kosto të ulët, ishte mishi, shoqëruar me djathin tipik të tymosur ‘Oscypek’ të bërë nga qumështi i deleve të maleve Tatra, aty pranë.

Në këtë udhëtim, nuk mund të linim pa provuar edhe trenin që të ngjiste për në kodrën Gubalowka nga ku shihej i gjithë qyteti. Plot njerëz e ngjisnin kodrën edhe në këmbë, pasi infrastruktura ishte mjaft mirë e përshtatur.

Në stinën e ngrohtë, Zakopane preferohet për shëtitje me kuaj dhe biçikleta në malin Tatras. Edhe noti apo shëtitjet me varkë në lumin Dunajec janë mjaft të preferuar gjatë stinës së nxehtë. Megjithatë, Zakopane është një destinacion shumë i preferuar për alpinizëm apo për aktivitete sportive dimërore si skijimi, snowboarding, kërcimet me ski, motorët e dëborës, shëtitjet me sajë, këpucë dëbore dhe patinazh në akull.

Zakopane është e njohur edhe për jetën e saj të natës, ku njerëzit ecin nëpër qytet apo bëhen pjesë e klubeve të vallëzimit. Megjithatë aktivitetet nuk kanë të sosur në Zakopane, siç janë banjat termale apo eksplorimi i kishave, muzeve apo galeritë e artit.

Szczawnica, Poloni

Në ditën e dytë, udhëtimi jonë me transport të Zyrës së Turizmit Polak vijoi në një tjetër destinacion, në Szczawnica. Përgjatë një ore udhëtim, binte në sy infrastruktura shumë e mirë rrugore dhe fshatrat me shtëpi të shumta me dru, të pa rrethuara me mure, fermat e kafshëve dhe gjelbërimi.

E njëjta pamje ofrohej edhe në Szczawnica, ku mundësitë e argëtimit ishin të mëdha. Udhëtimi për dy orë me varkë druri në lumin prej 17 km Dunajec që shpesh herë na kalonte edhe në Sllovaki, ishte një prej aventurave që përjetuam.  Rreth tij kishte të vendosura edhe shtëpi të vogla po me dru, kisha apo rrugë që frekuentohej shumë nga këmbësorët dhe të apasionuarit pas çiklizmit.

Nuk kishte si të mungonte edhe një udhëtim me teleferik të hapur për në malin Pieniny aty pranë, ku pamja e luginave që gjatë dimrit përdoreshin për sporte dimërore, duhet thënë se ishte mbresëlënëse. Shpesh herë mund të shije dhe kafshë të egra.

Szczawnica është e njohur edhe për vlerat e mëdha kurative që ka, ndaj përgjatë gjithë vitit është e populluar nga turisë por dhe banorë të zonave përreth.

Krakow, Poloni

Në listën e vendeve për të vizituar nuk kishte si të mungonte Krakow, qyteti i dytë dhe më i madh dhe një nga vendet më të vjetra në Poloni. Qëndrimi jonë nga Wizz Air ishte menduar në një vend strategjik, pranë qendrës, në hotel Golden Tulip. Në dy ditë, destinacionet e para dhe të sugjeruara edhe nga guida jonë e Zyrës së Turizmit Polak ishin të shumta, megjithatë vendet e bukura në qytet dhe rreth tij ishin të pa numërta.

Vizita e parë në Krakow, pa dyshim që do ishte në Kompleksin Wawel, me katedralen në të djathtë dhe kështjellën në të majtë. Vende të trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe me plot kuptimin e fjalës e meritonin të ishin të tilla pasi gjithçka ruhej brenda tyre ishte mbresëlënëse.  

Në Katedralen gotike të ndërtuar në shekullin e 14-të me urdhër të peshkopit Nanker, nuk lejoheshin fotografitë, por jashtë saj po dhe pamja ishte e mrekullueshme nga të gjitha anët. Por e veçanta e katedrales ishte edhe një kambanë gjigante, e cila kishte një histori mjaft të veçantë. Nëse e prekje me dorën e majtë dhe shprehje në heshtje një dëshirë, legjenda e thoshte se ajo do të realizohej brenda një viti.

Ndërsa pallati mbretëror i fortifikuar në lumin Vistula ishte ndërtuar në stilin Italian me urdhër të mbretit Kasimir III i Madh. Në të ishin me dhjetëra dhoma dhe pse kishin jetuar vetëm tre persona, Mbreti me Mbretëreshën dhe djalin e tyre të vetëm.

Më pas nga aty shkuam për në lagjen hebraike, ku gjithçka dukej sikur ishte lënë aty, pas dore. Por në fakt jo, aty kishte një bar-restorant. Vizita jonë vijoi nëpër qytet. Pamë nga afër shumë vende, e të tjerave ju lamë vend për të nesërmen.

Dita e fundit u përqendrua në Galerinë e Muzeut të Artit Polak të shekullit të 19-të, Czartoryski Museum dhe në Bazilikën e Shën Marisë. Gjithçka e ruajtur brenda tyre ishte perfeksion dhe pse ishin përdorur qindra vite më parë. Të vendosura pranë qendrës historike të Krakow, edhe aty kishe shumëçka për të parë. Tërhiqnin vëmendjen Karrocat me kuaj të cilët ishin gati për të ju bërë xhiro në qytet turistëve të shumtë aty.

Megjithatë Krakow kishte me qindra muzeume, katedrale e vende të tjera për tu parë. Padyshim të mrekullueshme ishin dhe parqet e shumta, mbi 50 të tillë, në qytetin e njohur për universitetet e shumta. Institucionet e shumta të arsimit të lartë ofrojnë shkollim në qytet, për më shumë se 250,000 studentë. 

Edhe në kthim transporti nga hoteli në aeroport ishte nga Zyra e Turizmit Polak dhe udhëtimi drejt Tiranës me Wizz Air. Kënaqësia që kam marrë nga ky udhëtim do më bëje që patjetër ti rikthehem Polonisë por edhe të udhëtoj në vende të tjera të botës, me linjën prestigjioze Wizz Air. Jo vetëm për komoditetin por edhe çmimet e lira të biletave që ka, Wizz Air do të jetë gjithmonë linja ime ajrore e udhëtimeve.

B.K//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?