Hueyda El Saied u nda nga jeta 7 muaj më parë në moshën 46-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, duke lënë dhimbje dhe boshllëk të madh tek të gjithë njerëzit e saj të dashur.
7 muaj nga humbja e artistes, bashkëshorti i saj Thierry Grosjean, djali Gabriel, dhe nëna e saj Diana Çoku, rrëfyen se dhimbja është ende e madhe.
“Ndihem shumë keq, nuk kam fjalë për Hueydën… sepse kur të vdes fëmija, të vdes edhe shpirti bashkë. Por duhet të bëhem e fortë, sepse kam Gabrielin dhe Tierry-n”– tha nëna e artistes së ndjerë.
Ndërsa bashkëshorti Thierry Grosjean, tregoi se që nga vdekja e bashkëshortes së tij i është dashur të bëhet edhe nënë dhe baba për djalin e tyre 6-vjeçar.
“Është një aventurë e re për mua, është e mrekullueshme, e jashtëzakonshme. Ne jemi të fortë së bashku. Por është ende shumë emocionuese për ne të shikojmë këto pamje, këtë fotografi të bukur të Hueyda-s”– tregoi Thierry.
Duke folur për ditët e fundit të Hueydës, Thierry tha se ajo nuk hoqi dorë nga të bërit art deri në ditën e fundit.
“Në fakt ajo ishte duke u dominuar nga sëmundja në atë kohë, por ajo vazhdoi të bënte art. Vazhdonte të prodhonte, ka disa skultpura të ndryshme, e keni parë në rrjetet sociale. Edhe kur ishte në spital pikturonte, ishte shumë e rëndësishme për të të mbante të gjallë kurajon dhe të vazhdonte luftën kundër sëmundjes. Dhe donte të merrej me artin në mënyrë paralele. Edhe kur ka qenë në spitali të gjithë doktorët shikonin artin dhe veprat që ajo krijonte.”– rrëfeu bashkëshorti i artistes, pwr emisionin “Rudina”.
Artistja u nda nga jeta në moshën 46 vjeçare më 23 nëntor si pasojë e kancerit të gjirit.