Zgjedhjet e 11 majit ishin më të mira edhe se ato të katër viteve më parë sipas raportit të OSBE-ODIHR dhe as mund të krahasohen me ato që u bënë më 26 maj 1996 kur Sali Berisha i vodhi hapur dhe i përgjaku.
Kështu u shpreh ish-deputeti demokrat Arben Meçe mbrëmjen e sotme në ‘Repolitix’. Sipas analistit, Berisha dhe Ilir Meta kanë halle drejtësie tani dhe jo halle votash e politike.
Kurse kryeministri Edi Rama problemin apo ‘njollën’ më të madhe ka korrupsionin e brendshëm, ndaj të cilit duhet të nisë luftë frontale.
“Iliri po kërkon lekët tani. U dhanë lekët e s’u morën votat. Iliri ka halle të tjera tani, duhet të merret me problemet ligjore dhe jo me hetimin e zgjedhjeve. Sa i përket raportit të OSBE-ODIHR, kujtojmë atë të 26 majit 1996 kur Berisha prishi e vodhi zgjedhjet, teksa u tha tekstualisht nga ndërkombëtarët se ku duheshin përsëritur zgjedhjet. Këtë herë raporti ishte më i mirë se i fundit. Berisha ndaj kërkon tezën e përhershme të mosnjohjes së zgjedhjeve. Po të shikosh edhe liderët e koalicionit të djathtë e kupton se në çfarë gjendje është opozita dhe forca e saj në këto zgjedhje. Viktimë aty është vetëm Agron Duka, që mori më shumë vota e përkthyer nga ajo çfarë mori me 1 deputet në listën e sigurt të PD-së. Të tjerët janë figura të konsumuara, nga Mediu, Meta etj. Berisha tani ka halle të tjera, si çështja “Partizani” dhe që rrezikon edhe 7 vite burg. PD do merret me mbrojtjen e Berishës tani. Rama problemin kryesor e ka me korrupsionin e brendshëm dhe as me PD-në e as me opozitën. Ky do jetë objektivi i Ramës që nesër, goditje frontale e korrupsionit. Ai do rregullojë këtë imazh që e ka të dëmtuar realisht dhe do përpiqet ta korrigjojë”, u shpreh Meçe.
Lajmi kryesor:
Meçe në ‘Repolitix’: Saliu u bë qesharak që nga slogani ‘Shqipëria Madhështore’! Tafani: PD po gjen alibi për humbjen! Kthupi: Zgjedhjet u vendosën me Kodin Zgjedhor
A.Q/Xh.D/ReportTv.al
