Politikë

Meçe për Report Tv: Ata që i dalin kundër Berishës eliminohen, sa të jetë ai, PD nuk fiton! Bala: S’kanë të ardhme me Nokën e Vokshin

3 Qershor, 18:10| Përditesimi: 3 Qershor, 20:48

  • Share

Sa të jetë Sali Berisha në krye të partisë, PD nuk vjen kurrë në pushtet. Dhe ata që guxojnë t’i dalin kundër nga brenda grupit parlamentar, si e vetmja mundësi për ta larguar nga drejtimi realisht, eliminohen deri edhe fizikisht nëse përbëjnë kërcënim serioz, siç dhe ka ndodhru me shumë personazhe më parë.

PD është me ‘hipotekë’ e Berishës dhe vetëm një anëtar i familjes mund ta trashëgojë. Kjo ishte analiza politike për situatën e Partisë Demokratike dhe kreut të saj, nga Arben Meçe, i ftuar sot në ‘Studio Live’ të Report Tv, në një intervistë me moderatorin Arbër Hitaj.

I ftuari tjetër ishte gazetari Anri Bala, që gjithashtu u shpreh se Berisha kërkon njeri të besuar për t’i lënë partinë, një “model Basha” apo “plastelinë” dhe askush prej të përfolurve nuk do guxonte t’i dilte kundër, pasi sipas tij janë “të tredhur”.

“Berisha e ka uzurpuar PD-në prej katër vitesh. Teza e farsës është për të mbajtur partinë nga Berisha. Tani është e qartë se me Berishën në krye të PD-së nuk ka më fitore. Ata brenda po përpiqen që ta godasin ligjërisht Berishën me ankimime në KQZ apo KAS, si Adriana Kalaja, duket si skemë brenda partisë për të goditur tezën e Berishës për farsë elektorale, nëpërmjet aspektit ligjor. Teza e farsës do i rrëzohej Berishës nëpërmjet ankimimeve që do verifikonte KQZ dhe do ia rrëzonte këtë tezë përfundimisht. Ndaj Berisha po përpiqet që të mos i lejojë dhe t’i pengojë. Pra brenda PD-së ka kandidatë që godasin tezën farsë të Berishës. Madje edhe avokatin Gjokutaj e shoh pjesë të skemës, edhe pse reagimi i tij më bëri shumë çudi. Gjokutaj është pjesë e skemës dhe Berisha po e përdor, një avokat me tezë politike. Ka fraksione anti-Berishë brenda PD-së”, tha ish-deputeti demokrat.

Por ai pohoi se ka përpjekje për të dalë kundër, ka grupe brenda që nuk e duan Berishën, por që nuk guxojnë apo nuk e arrijnë dot, pasi ai ka grup paramilitar dhe shërbim sekret të partisë të organizuar, që ashtu siç ka eliminuar të tjerët ndër vite, do i eliminojë edhe këta nëse do ‘ngrenë kokë’.

“Tani po evidentohen grupe individësh, hapur apo nën rrogoz. A ekziston mundësia t’i merret PD-ja Berishës, kjo është pyetja. Berisha lëviz me 7-8 badiguardë, ka një strukturë të fuqishme paramilitare që e ruan dhe mban Berishën. Ai ka rënë tashmë në besueshmëri, madje edhe deri te Vrenozi, autoriteti i tij është zero. Madje unë mendoj se ka shërbim informativ të partisë, shërbim sekret të PD-së, i kanë partitë, e ka edhe PS-ja. Jo pa qëllim e thashë se ka 7-8 persona që e ruajnë Berishën, grup paramilitar. Kemi histori që nga Gazidedja, ish-ambasadori shqiptar në Çeki e të tjera, ka histori në atë parti. Madje ish-ambasadori ishte njeriu që kishte gjithë informacionet e operacionit CEZ-DIA. Janë njerëz që janë eliminuar ndër vite. Por unë mendoj se edhe pse ka përpjekje, nuk do ketë fraksione në PD, nuk i lejon Berisha, madje edhe në të kaluarën i ka shtypur, i ka eliminuar”, tha Meçe për ‘Studio Live’.

Por a mund ta marrë partinë një prej tyre në të ardhmen? Meçe mendon se jo, pasi PD është me “hipotekë’ në familjen Berisha dhe duhet të jetë trashëgimtar brenda saj kur ai të mbërrijë në fundin fizik.

“Unë mendoj se lista e deputetëve të PD-së është me njerëz të Berishës tashmë. Ka teza në ajër, linjat jashtë parlamentit për ta marrë partinë janë të pamundura, harrojeni, duhet të ketë lëvizje nga brenda grupit parlamentar dhe jo jashtë tij. Asnjë prej tyre nuk e merr PD-në, nga ata të listës që folëm e përmendëm këtu. PD është me certifikim, është pronë, është në pronësi të familjes së Sali Berishës, duhet të jetë pjesë e familjes, mund të jetë Argita, Shkelzeni, madje edhe Liria apo mbesat, vetëm ata e marrin partinë. Berisha shet koncesione e biznese nëpërmjet protestave dhe presioneve. Këta 50 që ka zgjedhur Berisha në parlament, nuk ka shanse të dalin kundër, ndaj duhet të presim fundin fizik të tij për të parë kalimin e partisë te familja”, argumentoi tezën e tij analisti.

Kurse gazetari Anri Bala u shpreh ndër të tjera se Berisha hedh tezën e farsës për të justifikuar humbjen, kurse partinë nuk mund t’ia lëjë askujt që nuk është ‘plastelinë’ apo ‘modeli Basha’. Bala shprehet se PD nuk ka të ardhme me njerëz si Albana Vokshi apo Flamur Noka.

“Kërkesa për rinumërim, justifikim për humbjen nga ana e PD. Në PD nuk guxon askush t’i dalë përballë Berishës, janë të tredhur. Këta janë pa dinjitet, madje edhe humbjen e bëjnë me turp. Nuk mendoj më se PD ka të ardhme me Flamur Nokën, Albana Vokshin dhe Sali Berishën. Dhe më të vjedhurit janë vetë demokratët, nga demokratët. Ata janë vjedhur jo nga Rama, por nga vetë Berisha, me ato që ka bërë ndër vite politikisht. Shkaktari më i madh i hemorragjisë së PD-së është vetë Berisha”, tha ai.

Dhe kush mund ta pasojë Berishën në krye, nëse kjo do të ndodhë një ditë?

“Kreu i PD do kërkojë përsëri një model Basha, model plastelinë, ndaj nuk përjashtohet edhe figura e Shkëlzen Berishës për partinë. Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti nuk janë aq afër Berishës, e dimë, Andi Mustafai është përfolur. Ka një grup brenda partisë që nuk janë me Berishën, Gazment Bardhi gjihashtu e dimë se nuk është me Berishën. PD-së i duhet një listë me emra me integritet për t’u përballur me Ramën dhe të paktën për ta vënë në vështirësi”, nënvizoi gazetari për Report Tv.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?