Sali Berisha ka në filozofinë e tij dhunën, mosnjohjen e zgjedhjeve, manipulimin e vazhdueshëm, mosnjohjen apo kontestimin e zgjedhjeve dhe agresivitetin.
Të gjithë këto tipare politike janë të shfaqura më së miri gjatë zhvillimeve më të fundit të fushatës, si përleshja në Elbasan e mbështetësve të kandidatëve të PD-së, rasti i Bledjon Nallbatit me dhunën ndaj shoferit në Elbasan, aktet e ish-gjyqtarit sheik Gjin Gjoni në Lezhë, lajmi i rremë për heqjen e non gratës i shpërndarë së fundmi, si dhe manovra me linjën greke për të krijuar problematika në shpërndarjen dhe kthimin e zarfeve të votave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, si alibi për mosnjohjen e zgjedhjeve pas 11 majit dhe kontestimin e votës së diasporës.
Kjo ishte teza e analizuar sot në ‘Studio Live’ nga analisti dhe ish-deputeti i PD-së, Arben Meçe, edhe si njohës i mirë i karrierës politike prej më shumë se tre dekadash të kreut të PD-së.
Për Meçen, me Berishën në krye PD mbetet dhe mbështet filozofinë e dhunës.
“Kjo që po ndodh në PD dhe me grupet kriminale në Elbasan apo Lezhë, tregon se pas ngjarjes nuk është krahu i majtë, por i PD-së. Pra janë ngjarjet dhe përplasjet brenda tyre. Kjo situatë sinqerisht është e dhimbshme. Ka situatë shumë konfliktuale brenda PD-së shumë të dukshme, krahas sherrit që është ekstremi i konfliktit. Por në terren dhe opinion është përçarje e madhe brenda PD-së që do shfaqet edhe më tej”, thotë ai për Report Tv.
Analisti shpjegon edhe pse mosnjohja e zgjedhjeve është filozofi e përhershme e Berishës.
“Mosnjohja e zgjedhjeve është filozofi e Berishës. Në këtë kuadër është edhe pagesa 6 mln dollarë, edhe lajmi për non gratën, manipulim i pastër. Kështu funksionon Berisha. Edhe për Elbasanin ku denonconte grupet kriminale në Elbasan, apo të drogës, teksa në krahun tjetër grupet kriminale e terroriste të PD përleshen me njëra-tjetrën, nuk është politike ajo, është kriminale. Për 30 vjet që e njoh unë Berishën në politike, ai kështu funksionon, e sheh gjënë e vetes tek tjetrit me mashtrime në tre dekara dhe manipulime. Del si një manipulativ dhe gënjeshtar për çdo situatë. Kujtojmë Nanon, çfarë nuk i tha dhe pastaj e takoi, Dukën, e sulmoi dhe e bëri aleat”, shpjegon ish-deputeti për diskursin kontrovers të kreut të PD-së.
Ai hedh dyshime edhe për ndërhyrje nga linja greke pranë PD-së tek krijimi i problematikave me votat e diasporës në Greqi. Ai ngre pyetjen se përse ka problematikë vetëm në Greqi, por jo në vendet e tjera të botës? Madje shpreh bindjen se kjo bëhet me qëllimin e vetëm politik, për t’i dhënë Berishës një alibi për humbjen dhe kontestimin e zgjedhjeve e votës së diasporës pas 11 majit.
“Implikimi i linjave greke do shkaktojë probleme. Them se do ketë probleme nga ato. Mendoj dhe dyshoj se ka ndërhyrje nga linja greke edhe për çështjen e procesit të votave të diasporës në Greqi. Edhe KQZ është e shqetësuar aktualisht dhe po kërkon shpjegime. Ndihet një frymë sabotimi nga Greqia. I vetmi vend që ka probleme me kompaninë postare është Greqia ku duket se ka ndërhyrje të forta. Kjo bëhet që t’i japë PD-së argumente për të ngritur tezën që të kundërshtojë votën e diasporës. Unë po pres më tej, nuk mendoj se do ketë akuza për ndërhyrje nga administrata në zgjedhje brenda vendit, por do ngrihet nga PD problematika me Greqinë, që siç e thashë mendoj se ëhstë ndërhyrë qëllimisht për të pasur probleme. Pse nuk ka në vende të tjera probleme të ngjashme, në Itali, Angli, Gjermani, ku ka shkuar mirë. Por vetëm Greqia dhe investigimi i nisur besoj do e sqarojë”, tha Meçe për Report Tv.
Arben Meçe mendon se PD-ja aktuale përfaqëson një parti të agresivitetit dhe dhunës, sipas filozofisë së kryetarit Sali Berisha, teksa po përgatisin edhe alibinë për humbjen e zgjedhjeve.
Ai iu referua ngjarjeve të fundit të ndodhura gjatë fushatës elektorale në Dibër me Xhelal Mziun, në Lezhë me aktet e ish-gjyqtarit sheik Gjin Gjoni, në Korçë me dhunën e deputetit Bledjon Nallbati ndaj shoferit të kamionit dhe incidenti i rëndë i ndodhur dje në Elbasan, ku djali i Luçiano Boçit të PD u përlesh me mbështetësit e partisë gjatë mitingut elektoral.
“Kemi situata të ndryshme në disa qytete. Kemi të Lezhës me reagime dhe sulme ku duket se po parapërgatisin humbjen. Kemi ngjarjen e Korçës, ku deputeti dhe kandidati Bledjon Nallbati sulmon qytetarin, dhe është një nga më agresivët në Parlament. Kjo tregon se lista që ka përfaqësuar Berisha me kandidatët është agresivitetit. Kjo është një filozofi e PD dhe Berishës. Ose edhe rasti i Dibrës, ai është më tipiku (i referohet Xhelal Mziut). Ashtu sikurse edhe ky i Korçës, doganieri, janë tipike këto. Edhe Elbasani me përfshirjen e djalit të Luçiano Boçit tregon këtë filozofi, ku përfaqësuesit e PD zihen e rrihen mes tyre, ky është si lajm botëror. Ka një grumbullim të kësaj situate në Elbasan, që tani po shpërthen. Në Elbasan u cenua edhe parimi i primareve. Kjo u cenua në themel, ku një dorë e fuqishme bëri një përzgjedhje, teksa krijoi përçarjen duke hequr ata që fituan”, u shpreh Meçe.
Dhe në krye të saj ai sheh figurën e Sali Berishës si përfaqësues i dhunës, të cilën përpiqet që ta hedhë në krahun tjetër.
“Kjo që po ndodh në PD dhe me grupet kriminale, tregon se pas ngjarjes nuk është krahu i majtë, por i PD-së. Pra janë ngjarjet dhe përplasjet brenda tyre. Kjo situatë sinqerisht është e dhimbshme. Ka situatë shumë konfliktuale brenda PD-së shumë të dukshme, krahas sherrit që është ekstremi i konfliktit. Por në terren dhe opinion ëhstë përçarje e madhe brenda PD-së që do shfaqet edhe më tej”, shpjegon ai.
Ish-deputeti dha edhe një mendim për lajmin e përhapur nga PD për heqjen e non gratës së Berishës që sipas postimit të një gazetari amerikan, mund të udhëtojë në SHBA, duke e cilësuar edhe si "shashkë elektorale".
“Non grata është e kapërcyer tashmë, si të hiqet edhe të mos hiqet, nuk bën më asnjë ndryshim. E di Berisha dhe ata që përfitojnë 6 mln dollarë. Por duhej një shashkë në prag të zgjedhjeve. Gazetari që ka bërë postimin Mark Caputo është gazetari i Chris LaCivita, pra i kompanisë që është paguar 6 mln dollarë. Sepse në faqet e tij janë edhe reagimet e LaCivita për Berishën dhe Shqipërinë. Edhe përgjigja e dhënë për gazetarin është e përgjihshme dhe jo për Shqipërinë. Pra gjeopolitika amerikane në raport me figurat në botë. Përgjigja e gazetarit nuk është specifike për Berishën, por e përgjithshme. Por ta trumbetosh sikur u çlirua Berisha, kjo është bumerang, nuk ka heqje non grata për Berishën dhe kjo është e qartë. Shqipëria duket si vend mediokër ku vjen një amerikan dhe shet lajme të rreme”, tha analisti për Report Tv.
Komente
