Katër medalje ka arritur të fitojë Shqipëria në kampionatin ballkanik të karatesë, që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të Tiranës Qyteti Europian i Sportit. Në kategorinë e të rriturve Xhino Toli fitoi të bronztën, ndërsa Orges Arifi medaljen e argjendtë.
“Hera e parë që u mbajt në Shqipëri dhe ishte një ndienjë e veçantë, sepse u ndesha para publikut vendas. Për rezultatin them se nuk mund të jem shumë i kënaqur, sepse objektivi ishte medalje e artë. Gjithsesi tani duhet të kënaqem me medaljen e argjendtë,”-u shpreh Orges Arifi, sportist i karatesë.
Për këtë aktivitet nga data 22 deri më 24 shtator erdhën në Tiranë rreth 400 sportistë nga 12 shtete të ndryshme ballkanike.
“Organizimi i kampionatit ballkanik nga federata shqiptare e karatesë ishte në mënyrë perfekte. Të gjithë shtetet e ballkanik ishin shumë të kënaqura dhe krijuan përshtypje pozitive për Tiranën dhe Shqipërinë,”-tha Orges Arifi, sportist i karatesë.
Sa i takon dy medaljeve të tjera të fituara në ballkaniadë, ishin në kategorinë e veteranëve. Kjo sepse në finale shqiptari Lirim Dedej, i cili fitoi medaljen e artë, u përball në finale me Danil Agollin, i cili mori medalje të argjendtë.