Ka çelur siparin edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “Albamono” në Pallatin e Kulturës në Maliq. Në hapje të festivalit, publiku ndoqi shfaqjen “Medea”, një vepër klasike e antikitetit e interpretuar nga Darlin Dimo. Shfaqja, e cila ka fituar çmime të para në Festivalin e Korinthit dhe në Festivalin e të Rinjve në Berat, u mirëprit me duartrokitje.
Ky edicion sjell në skenë artistë dhe trupa teatrore nga 8 shtete të ndryshme: SHBA, Shqipëria, Ukraina, Greqia, Kroacia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maqedonia e Veriut dhe Polonia. Shfaqjet e tyre do të prezantohen para publikut në Maliq dhe Pogradec, duke sjellë një përvojë te re kulturore. Drejtori i festivalit, Festim Tomorri, theksoi se “Albamono” po shndërrohet në një pikë referimi për teatrin ndërkombëtar.
Ndërkohë, aktorët e huaj e kane konsideruar festivalin një përvojë të veçantë artistike.
“Këtë rradhë vij si regjisore por edhe si aktore me monodramën Agatha Christie. Ajo që ndjej është një miks ndjenjash sepse vijmë nga një luftë dhe ajo që duam është të shkëputemi prej saj. Teatri jonë vazhdoi me shfaqjen që dy javë pasi nisi lufta dhe kjo gjë na jep fuqi të krijojmë. Arti na shëron ne, e ne shërojmë njerëzit që vijnë na shohin", tha aktorja ukrainase, Inna Goncharova.
Festivali “Albamono”, i themeluar nga mjeshtri i madh i skenës shqiptare Dhimitër Orgocka, do të vijojë deri më 30 qershor, kur do të ndahen edhe çmimet për regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë dhe monodramën më të mirë.
Komente
