Tirana

Media australiane 'The New Daily': Si po kthehet Shqipëria në destinacionin e madh të turizmit evropian?

14 Nëntor, 08:54| Përditesimi: 14 Nëntor, 08:55

  • Share

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vitet e fundit, falë kaluarës së saj historike dhe zhvillimit të turizmit dentar, shkruan Sezen Bakan në një artikull të botuar në të përditshmen australiane “The New Daily”.

Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit e katërta në nivel global për rritjen më të madhe të numrit të turistëve ndërkombëtarë, pasi shënoi një rritje prej 56 për qind krahasuar me vitin 2019, sipas Organizates Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara.

Kompania e udhëtimit “Intrepid Travel” raportoi një rritje prej më shumë se 30 për qind në rezervimet për udhëtimet në Shqipëri – midis viteve 2023 dhe 2024.

“Duke qenë se Shqipëria hapi dyert për vizitorët vetëm 30 vjet më parë, ajo mbetet kryesisht e paprekur, me shumë më pak turistë se Greqia ose Kroacia fqinje”, tha drejtuesja e projektit të “Intrepid Travel”, Dyan Mckie.

“Me peizazhe të gjera që variojnë nga qytetet buzë plazhit deri te qytetet plot gjallëri, produktet e freskëta vendase, bujqësia e qëndrueshme dhe ushqimet e gatuara në shtëpi – Shqipëria ofron shumëllojshmërinë dhe përvojat që u pëlqejne vizitorëve”, tha ajo.

“Është një vend që ende ndihet si një zbulim”, tha Mckie.

“Udhëtimet tona në Shqipëri ofrojnë një alternativë më buxhetore se shumë destinacione të tjera evropiane – me një kosto mesatare ditore prej rreth 288 dollarë krahasuar me mbi 400 dollarë në vende si Spanja, Italia apo Greqia”, tha ajo.

“Është një atraksion i madh për turistët që kërkojnë përballueshmërinë pa kompromentuar përvojën”, theksoi ajo.

Rritja e fundit e turizmit është shumë larg “personalitetit” të mëparshëm të Shqipërisë – si një diktaturë komuniste e mbyllur.

Gjatë kulmit të sundimit komunist, diktatori Enver Hoxha mbylli kufijtë e vendit dhe ndërtoi qindra mijëra bunkerë.

Mbikëqyrja shtetërore dhe brutaliteti i dha Shqipërisë pseudonimin “Koreja e Veriut të Evropës”.

Pas tre dekadash, që kur Shqipëria u bë demokraci, turistët janë të lirë të eksplorojnë të kaluarën magjepsëse të një vendi që ka parë ngritjen dhe rënien e qytetërimeve që datojnë mijëra vjet më parë.

Megjithëse vendi është i prirur të largohet nga plagët – që ende shërohen – të diktaturës së fundit, përqafimi i historisë ka rezultuar i frytshëm për turizmin.

“Shqipëria e re”

Nga “Bunk’Art 2”, një muze interaktiv i vendosur në një bunker të shkallës bërthamore, te “Mrizi i Zanave” – një burg i kohës së komunizmit që tani përdoret për të paraqitur gastronominë historike të Shqipërisë – kujtimet e dhimbshme mbeten të paharruara ndërsa ndërtohet një e ardhme e re.

Kuzhinieri shqiptar i trajnuar në Britaninë e Madhe, Ismet Shehu, është një nga njerëzit që e vendos të kaluarën komuniste të vendit të tij në krye dhe në qendër të sipërmarrjeve të tij të biznesit.

Restoranti dhe hoteli i tij “Kazerma e Cerenit” ndodhet në ish-kazermat dhe kompleksin ushtarak pranë kryeqytetit të vendit, Tiranës.

Vizitorët përshëndeten nga kamarierë me veshje ushtarake, herë pas here të pajisur me armë false.

“Kazerma ka të bëjë me ushqimin e freskët të rritur dhe prodhuar në vend”, tha Shehu për CNN.

“Ka të bëjë me ndihmën ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve tanë. Kur njerëzit vijnë këtu, thonë: “Uau!”, ky vend ka qenë për ushtarët, dikur ka qenë për tanke, tritolet dhe granatat. Tani është një vend paqeje – me njerëz që shërbejnë me një buzëqeshje; ushqim të mirë dhe ëmbëlsira shumë të këndshme. Dhe ky është një ndryshim i madh, apo jo?”, tha Shehu.

Në dhoma, Shehu vendosi blloqe të mëdha cilindrike prej betoni për të kujtuar dushet e kazermave – duke shtuar radiot e vjetra ushtarake, kondakët e pushkëve prej druri dhe tenxheret e luleve të kthyera në mensa.

Ai tha se megjithëse vitet e komunizmit ishin të dhimbshme, qëllimi i tij ishte që njerëzit të ecnin përpara – në vend që të vazhdonin t’i frikësoheshin asaj.

“Në kohën e komunizmit isha shumë i ri”, tha 35-vjeçari.

“Por, e di që babai im ka luftuar shumë. Nuk dua të harroj kurrë atë që ishte më parë, por tani historia ka ndryshuar. Ne po bëjmë gjëra të reja, kjo është Shqipëria e re”, shtoi ai.

Pjesë të tjera të historisë së pasur të Shqipërisë (nën sundimin e perandorive romake dhe osmane) janë gjithashtu atraksionet kryesore, së bashku me fshatrat idilike të vendit.

Për shembull, qyteti i Beratit është i njohur për shtëpitë e tij të stilit osman dhe kishat bizantine, ndërsa fshati i Thethit tërheq adhuruesit e natyrës falë pyjeve dhe Alpeve Shqiptare.

Buzëqeshje të reja – dhe pjesë të tjera të trupit – me ofertë

Historia, kultura, natyra dhe ushqimi i Shqipërisë nuk janë atraksionet e vetme turistike të Shqipërisë – turizmi mjekësor ka dëshmuar gjithashtu të jetë një ndihmë për një vend të vogël.

Shqipëria po mirëpret vizitorë që kërkojnë të bëjnë operacione estetike cilësore – më lirë se në vendet e tyre.

Kjo mund të variojë nga trajtimet dentare deri te përmirësimi i gjoksit.

Botox-i i popullarizuar globalisht mungon dukshëm në oferta, pasi importi i tij për trajtime me injeksion është i ndaluar në Shqipëri.

Francezi, Stephane Pealat është një nga shumë persona që kanë vizituar Shqipërinë për një buzëqeshje të re dhe të përballueshme.

Në një intervistë për AFP, Pealat tha se operacioni i implantit dentar që ai zgjodhi kushtoi rreth 50,000 euro në Francë, krahasuar me vetëm 13,500 euro në Shqipëri.

“Është e rëndësishme të kesh një buzëqeshje të bukur”, tha ai.

Shefja italiane, Vera Panaitov tha për AFP, se fillimisht kishte shkuar në Shqipëri për të bërë dhëmbët, por pasi kishte mbërritur në Tiranë, kishte zgjedhur të rimodelonte gjoksin dhe hollonte belin.

Dermatologia dhe pedagogja e universitetit me qendër në Tiranë, Monika Fida tha se 750 deri në 1000 pacientë të huaj vizitonin klinikën e saj çdo vit, – për trajtime me injeksione me acid hialuronik kryesisht në buzë.

Kreu i Shoqatës Kombëtare të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Ibrahimaj u tha gazetarëve, si pacientët e huaj ashtu edhe ata vendas nuk duhet të mbështeten vetëm në reklamat në internet për procedurat estetike dhe duhet të bëjnë kujdesin e duhur përpara se t’i nënshtrohen trajtimeve./ ATSH

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?