Armë e sekuestruara

Media britanike ‘The Sun’: Armët e kapura për në Angli, trafikoheshin nga një grup në Tropojë me lidhje në Londër

3 Gusht, 11:58| Përditesimi: 3 Gusht, 18:19

  • Share

Një sasi e madhe armësh e destinuar për në Britani është sekuestruar pasi policia shkatërroi një bandë që merrej me trafik armësh.

Pistoleta Glock me gjuajtje të shpejtë dhe një pushkë kallashnikovi ishin midis 25 armëve të zjarrit të gjetura në Shqipëri, shkruan e përditshmja The Sun.

Armët dhe qindra fishekë ishin caktuar për t’u dërguar bandave shqiptare në Britani, të cilat po bëjnë një luftë në terren për drogën dhe prostitucionin në Londër.

Policia e Shtetit Shqiptar, gjeti armët duke u përgatitur për dërgesë në një vend në periferi të Tiranës të enjten (1 gusht). Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar ata arrestuan pesë persona ndërsa vijojnë hetimet për këtë çështje.

Urdhër-arrestet u lëshuan për tre të tjerë ende të lirë në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me bandën. Tre shqiptarë të moshës 21, 44 dhe 62 vjeç janë akuzuar për kontrabandë ndërkombëtare të armëve.

Agjencia Kombëtare e Krimit punoi me Prokurorin e Posaçëm të Shqipërisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Hetimi i tyre u përqëndrua në rajonin e Tropojës të rrënuar nga krimi, në veri të Shqipërisë, thuhet në artikull.

Që nga fundi i viteve 1990, bandat nga Tropoja janë aktivizuar në komunitetet shqiptare në lagjet e Londrës Lindore dhe Juglindore të Woolwich, Stratford dhe Barking.

Mafiozët e përfshirë në prostitucion, kontrabandë kokaine dhe ferma kanabisi dyshohet se do të rrisin fuqinë e tyre të armëve për të paralajmëruar rivalët.

Ervin Karamuço, profesor i kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, citon The Sun, tha: “Grupet kriminale në Shqipëri kanë krijuar një arsenal armësh dhe aksesorësh modernë për të furnizuar bashkëpunëtorët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Armët janë të siguruara në Turqi dhe në tregun ilegal serb dhe mund të ishin përdorur nga kushdo, përfshirë terroristët”.

Vitin e kaluar, e njëjta bandë kriminale u kap duke transportuar pistoleta Glock të prodhimit austriake, të afta për të gjuajtur 20 plumba në sekondë.

Gjashtë Glock, një pistoletë Broëning dhe një pistoletë Hel-Star ishin fshehur brenda një furgoni me targa të Britanisë së Madhe, së bashku me më shumë se 200 plumba.

Zyrtarët në portin shqiptar të Durrësit i gjetën armët - gjatë rrugës për në një adresë në Luton, duke përdorur një skaner.

Furgoni, një Mercedes i bardhë i regjistruar në Britani, do të udhëtonte me traget për në portin italian të Ankonës nga Britania e Madhe.

Ora 18:11
Shkroi për trafikun e armëve drejt Britanisë, ambasadori shqiptar në Britani: Titulli i 'The Sun’ keqinformues

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, nëpërmjet platformës X ka reaguar ndaj medias britanike “The Sun” në lidhje me artikullin e botuar mbrëmjen e 2 gushtit për trafikun e armëve drejt Anglisë dhe grupi që fshihet pas.

“Një titull konfuz, keqinformim, nga The Sun. Lavdërime policisë shqiptare për udhëheqjen dhe menaxhimin e këtij operacioni me ndihmën e SPAK dhe NCA ( Agjencisë Kombëtare Britanike kundra Krimit)" shkruan ambasadori, Ferizi.

Madje i sugjeron gazetës 'The Sun' dhe një titull tjetër.

"Ja ku është një titull më i mirë. Policët trima shqiptarë sekuestrojnë armë të destinuara për gangsterët djallëzorë në Londër”, përfundon ai.

Një grup i strukturuar kriminal i trafikut të armëve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar u shkatërrua përmes një operacioni të gjerë të SPAK, BKH dhe Policisë së Shtetit  si dhe u sekuestrua një arsenal armësh që kishte destinacion vendin ishullor.
Në pranga ranë Adulla Hoxhaj, 44 vjeç, drejtues i grupit, Bojken Turtulli, 21 vjeç dhe Rifat Avdiaj, 62 vjeç, të tre banues në Tiranë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 të tjerë.

Gjatë operacionit  të koduar “Inkorporimi”  që u mor më 1 gusht 2024 u kontrolluan 6 shtëpi, në Tiranë dhe Tropojë. Në banesën e të cilësuarit si kreu i grupit kriminal, Adulla Hoxhaj, u gjetën 24 pistoleta dhe 1 kallashnikov, qindra fishekë, lazera për montim në armët speciale që shërbejnë për qitje në distancë dhe pajisje optike. Po ashtu, u sekuestruan veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 makina, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 thika. 

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?