Foto ilustruese

Bota

Media e pavarur në Moskë në bashkëpunim me BBC identifikon 95 mijë ushtarë rusë të vrarë në luftë

25 Shkurt, 15:44| Përditesimi: 25 Shkurt, 15:52

  • Share

Në bashkëpunim me BBC-në, media e pavarur ruse Mediazona ka njoftuar se ka identifikuar 95 mijë ushtarë rusë të vrarë duke përdorur të dhëna open-source, një shifër që Kremlini nuk e ka komentuar dhe as mohuar. Një infografikë e re e detajuar, e publikuar dje me rastin e përvjetorit të tretë të agresionit ndaj Ukrainës, identifikon dhjetëra mijëra ushtarë rusë, duke treguar emrin, datën e lindjes, datën e vdekjes, njësinë dhe rajonin e origjinës së tyre.

Këto identitete, shpesh të shoqëruara me një fotografi, janë mbledhur në një faqe interneti (https://200.zona.media/) për të formuar një riprodhim të pikturës "Apoteoza e Luftës", një vepër e piktorit rus Vasilij Vereçagjin, e cila paraqet një piramidë me kafka njerëzore. E njohur në Rusi, kjo pikturë është e ekspozuar në Galerinë Tretiakov në Moskë.

Faqja e internetit lejon klasifikimin e të rënëve sipas rajonit të origjinës, gradës ushtarake dhe njësisë, ose kërkimin e një personi të veçantë. Mediazona, një faqe interneti e themeluar nga Pjotr Verzilov, një opozitar rus që ka luftuar në Ukrainë dhe bashkëthemelues i grupit punk anti-Putin Pussy Riot, thekson se lista nuk është përfundimtare, duke vlerësuar se rreth 165 mijë ushtarakë rusë mund të jenë vrarë gjatë tre viteve të fundit.

Mediazona po punon për këtë projekt me shërbimin rus të BBC-së dhe publikon rregullisht një raport të përditësuar kur identifikohen viktima të reja. Zëdhënësi i Kremlinit nuk ka komentuar këtë punë investigative dhe bilancin e viktimave, duke deklaruar se nuk e ka parë atë. Megjithatë, ai nuk e ka mohuar lajmin.

"Nuk e di çfarë është kjo publikim dhe nëse ajo që është publikuar është e vërtetë apo jo," ka thënë Dmitri Peskov.

"Çdo informacion mbi humbjet e pësuara gjatë operacionit ushtarak special (sulmit rus ndaj Ukrainës, shën. red.) mund të jepet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse. Kjo është një prerogativë ekskluzive e ministrisë."

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 25/02/2025 16:01

    Nese jane vrare aq Ruse atehere i bie se ka 1 milion Ukrainas te vrare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?