Ksamil

Media italiane: Lukova dhe Ksamili ‘Maldivet e Europës’

12 Qershor, 08:53| Përditesimi: 12 Qershor, 09:01

  • Share

Quhen Maldivet e Europës: zbuloni Lukovën dhe Ksamilin, dy vende magjepsëse në Shqipëri, ideale për pushime verore, shkruan Daniela Caruso në një artikull të publikuar në revistën italiane viaggi.nanopress.it.

Shqipëria është një nga destinacionet më të pëlqyera të kohëve të fundit. Edhe në verën e vitit 2024 ajo pritet që të jetë ‘mbretëresha e pushimeve’ për italianët dhe jo vetëm. Për më tepër, në këtë vend, do të gjeni dy vende të mrekullueshme që konsiderohen si ‘Maldivet e Europës’. Bëhet fjalë për Lukovën dhe Ksamilin, që ndodhen në bregdetin shqiptar.

Shqipëria, një vend që pret të zbulohet

Lukova dhe Ksamili përkufizohen si ‘Maldivet europiane’, pasi karakterizohen nga peizazhe vërtet magjepsëse dhe ku mund të kaloni pushime ekonomike. Kështu ju mund të shpenzoni vetëm 25 € për natë për akomodimin më të lirë.

Duhet thënë në fakt se vendi ballkanik ka shënuar një rekord në sektorin e turizmit, pra 9.5 milionë vizitorë të huaj kanë vendosur që t’i kalojnë pushimet në Shqipëri.

Pra, me pak fjalë, Shqipëria ka shënuar një rritje prej 33.2% krahasuar me një vit më parë: një shifër shumë e rëndësishme, duke qenë se ky vend ballkanik ka vetëm 2.8 milionë banorë.

Arsyet për të vizituar Shqipërinë janë të ndryshme dhe, në thelb është afërsia e saj me Italinë, fakti që mund të arrihet me traget me një kosto të përballueshme. Gjithashtu duhet të keni parasysh se Shqipëria karakterizohet nga plazhe të bukura e të pastra, ushqimi është i shijshëm dhe me kosto të ulët.

Maldivet e Europës: Zbulimi i Lukovës dhe Ksamilit

Dy perlat e Shqipërisë të quajtura si ‘Maldivet e Europës’: Lukova dhe Ksamili, janë dy nga atraksionet kryesore të vendit.

Udhëtimin mund ta nisni nga Saranda, kryeqyteti turistik i Shqipërisë, i karakterizuar nga plazhe me rërë të bardhë, një det i kristaltë dhe transparent. Lukova ndodhet pranë ishullit të Korfuzit dhe burimit të Syrit të Kaltër.

Megjithatë, Ksamili është i famshëm për ujërat smerald që karakterizojnë detin që e rrethon si dhe për ishujt shkëmborë që ndodhen aty pranë dhe mund të arrihen me varkë ose me not.

Gjatë muajve të verës, duhet thënë se si Saranda ashtu edhe Ksamili janë të mbushur me turistë, prandaj ju këshillojmë që të planifikoni mirë pushimet tuaja në periudhat që ka më pak prezencë turistike, në mënyrë që të shijoni, peizazhet, plazhet, klimën dhe atmosferën e pranishme në këto vende.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?