LEZHË- Emigrantët e vendosur në kampin e Gjadrit në Lezhë kanë nisur të largohen. Sipas burimeve 16 nga 40 personat e vendosur pak javë më parë janë larguar nga kjo strukture. Dy prej tyre janë riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës dhe 14 të tjerë, janë dërguar në Itali në pritje të deportimit. Procedurat po kryhen konform rregullave të përcaktuara, në bazë të dekretit të qeverisë Meloni të miratuar me 28 mars të këtij viti. 41 emigrantët mbërritën në Shëngjin me anije ‘Libra’ më 8 Prill.
Ata janë kontigjent kriminal ndaj iu është refuzuar azili në Itali, pasi bëhet fjalë për persona të akuzuar ose të dënuar për krime; vrasje të mbetur në tentativë, dhunë seksuale, lëndime të rënda, pornografi me fëmijë, vjedhje, grabitje, nxitje të miturve dhe posedim të lëndëve narkotike.Që prej mbërritjes në Gjadër një pjesë e tyre janë bërë protagonist të veprimeve të dhunshme, duke detyruar autoritetet që të shtojnë nivelin e sigurisë në këtë strukture.
Në bazë të dekretit të Qeverisë Italiane kontigjente të tilla qëndrojnë në kampin e Gjadrit derisa të deportohen në vendet e tyre të origjinës, ku afati maksimal i qëndrimit do të jetë 18 muaj. Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte konceptuar për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet italiane, për një periudhë deri në 28 ditë. Por me dekretin e ri të qeverise Meloni, “Gjadri” do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe pritet të deportohen në vendet e tyre të origjinës.
Komente
