27-vjeçari u arrestua për vjedhjen e një tapeti në Tiranë dhe përfundoi në koma, policia: Po hetojmë shkaqet! Nëna: Mjeku më tha se djalit i dhanë metadon

2 Maj 2023, 08:53| Përditesimi: 2 Maj 2023, 12:21

  • Share

TIRANË- Jani Rustemaj 27 vjeç sot ndodhet në koma në spitalin "Nënë Tereza". Pikëpyetjet se çfarë e çoi në këtë gjendje janë të mëdha. I riu u arrestua më 12 prill për vjedhje. Sipas policisë, dy ditë më pas, më 14 prill, gjatë kohës që Rustemaj që qëndruar në bllokun e sigurisë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka shfaqur shqetësime shëndetësore.

Nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.

Më tej vijon policia në një njoftim zyrtar, më 15 prill, 27-vjeçari është shoqëruar në ambientet e gjykatës, ku togat e zeza caktuan masë arresti në burg, një vendim që ngre pikëpyetje pse nuk u caktua masë më e lehtë, arresti shtëpiak apo detyrim paraqitje, në kushtet kur Jani Rustemaj vetëm një ditë më parë kishte pasur probleme shëndetësore.

Më 16 prill, i arrestuari është transferuar nga drejtoria e policisë së Tiranës, në ambientet e paraburgimit në burgun 313.

Autoritetet e IEVP 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Mes këtyre peripecive, Jani Rustemaj ka shfaqur sërish shqetësime shëndetësore, me 17 prill, dhe ambulanca e ka transportuar drejt spitalit “Nënë Tereza”. Fillimisht ruajtjen e të arrestuarit e ka bërë policia, ndërsa më 19 prill, është marrë në ruajtje nga strukturat e burgut.

Pa pasur një përgjigje se çfarë ka ndodhur me djalin e saj që po dergjet në shtrat, nëna e 27-vjeçarit, më 30 prill ka bërë kallëzim në komisariatin numër 3 në Tiranë. Sipas saj, djali për të cilin pranon se ishte përdorues i lëndëve narkotike, u arrestua për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete dhe hedh akuza ndaj policisë se e kanë dhunuar. Siç ajo citon në një intervistë televizive, mjekët e spitalit të burgut i kanë thënë se i kanë dhënë metadon, ilaç kundër varësisë nga droga.

Sipas policisë, deri më tani është sekuestruar praktika procedurale dhe shëndetësore për të arrestuarin, janë pyetur disa punonjës Policie dhe stafi mjekësor i Bllokut të Sigurisë, dhe në vijim pritet që çështja t’i referohet Prokurorisë së Tiranës

Ora 09:39
Nëna e 27-vjeçarit që u arrestua për vjedhje e përfundoi në koma: U fut në burg për një tapet e një palë atlete! E dija që pinte hashash

1683013611_janirustemaj.jpg

Nëna e Jani Rustemajt, të riut që ndodhet në QSUT në gjendje të rëndë ishte e para që ngriti dyshime mbi sjelljen e dhunshme të policisë ndaj djalit të saj. Në një intervistë për ‘Uniko’ foli me lot në sy duke thënë se djalin po e rrihnin dhe e kishin arrestuar për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atelete. Po ashtu konfirmon se i biri ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe nga spitali i kishin thënë se i kanë dhënë metadon, ilaç kundër varësisë.

“Pasi u kap, i shkova njëherë në burg. E arrestuan për vjedhje, kishte marrë një tapet e një palë atlete. 

Më thanë ke djalin sëmurë. Nuk ma thanë pse, ai nuk kishte asnjë problem. Kam shkuar dhe kam pyetur te spitali i burgjeve, pyeta se ku e kam djalin. Shkova atje, nuk ishte i shtruar aty, erdha në shtëpi. Pas disa ditëve, më erdhi policia në shtëpi, më thanë shko në spital se ke çunin me ftohje. Djali ishte shumë keq, doktori tha nuk kam shpresa. Ai ishte shumë mirë, i çoja paketa. Nuk e di, ishte shumë mirë. Doktori më tha i kanë dhënë shumë metadon. Ai pinte hashash, e dija që pinte, jo shumë, ishte për bukuri”, tha nëna e tij.

 

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?