Mediat e huaja: Japonia do flakë miliona vaksina kundër COVID pasi nuk ka shiringat e duhura për të nxjerrë dozat

10 Shkurt 2021, 22:20| Përditesimi: 10 Shkurt 2021, 22:21

  • Share

Japonia ka siguruar 144 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, por  nuk ka numrin e mjaftueshëm të shiringave të specializuara për të nxjerrë gjashtë dozat e parashikuara nga çdo shishe ampule.

Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, miliona njerëz në Japoni nuk do të marrin vaksinën Pfizer sipas planit, prej mangësive të shiringave të specializuara.

Shiringat standarde në Japoni nuk janë të afta të nxjerrin dozën e gjashtë dhe të fundit nga ampulat e prodhuara nga kompania amerikane, njoftoi ministri i shëndetësisë Norihisa Tamura.

Japonia ka siguruar 144 milionë dosa të vaksinës Pfizer me të cilat mund të imunizohen 72 milionë njerëz, me supozimin se çdo ampulë përmban gjashtë doza.

Çdo marrës i vaksinës ka nevojë për dy injeksione tre javë larg njëri-tjetrit. Mungesa e shiringave për “hapësirat e vdekura” të ampulës bën që vaksinuesit në Japoni të jenë të aftë të nxjerrin vetëm pesë doza nga çdo ampulë, që do të mjaftonin për vetëm 60 milionë njerëz. “Shiringat në Japoni mund të nxjerrin vetëm pesë doza,” tha Tamura i cituar nga agjencia Kyodo. Qeveria ndërkohë i ka kërkuar prodhuesve në vend të rrisin numrin e shiringave të posaçme për të evituar skadimin apo flakjen e ampulave me dozën e fundit të mbetur brenda.

Japonia nuk është e vetme në hasjen e problemit teksa edhe SHBA e Bashkimi Evropian ka raportuar mungesa në shiringat me age të gjatë për të gjitha hapësirat e ampulës. Kjo do të shkaktojë një tjetër fushë kompeticioni global për furnizimet e mbrojtjes ndaj pandemisë. Një zyrtar japonez i shëndetësisë tha për agjencinë Jiji Press: “Edhe kur u nënshkrua kontrata, ne nuk ishim të sigurtë se një shishe mund të përdorej për gjashtë doza, por u treguam të ngadaltë për ta konfirmuar këtë.”

Japonia nis programin e imunizimit në mes të shkurtit, disa muaj më vonë se vende të tjera të zhvilluara. Qeveria ka mbrojtur qasjen e saj ndaj vaksinimit, duke thënë se fillimisht do të imunizohen 10,000 deri në 20,000 punonjës të shëndetësisë, gjendja e të cilëve do të monitorohet nga afër, dhe më pas do të ndiqet nga imunizmi i 3.7 milion punonjësve në mars.

E.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?