Fjalia që dëgjohej shpesh para dhe gjatë fushatës elektorale nga analistë të ndryshëm ishte se ‘Rama ka kapur mediat’ dhe se opozita gjen pak hapësira. Madje këto pretendime u amplifikuan edhe nga një raport paraprak i OSBE-ODIHR-it i cili shkruante se “Shumica dërrmuese e mediave perceptohen të jenë të lidhura me partinë në pushtet.” dhe në një fjali tjetër përmendte mbulimin e pabalancuar.
Por çfarë ka ndodhur realisht gjatë 30 ditëve fushatë elektorale në Shqipëri për zgjedhjet e 11 majit?!
Nga raporti i monitorimit 30 ditor nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), i miratuar tashmë edhe nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve realitetit paraqitet krejtësisht i kundërt me atë që pretendohet. Për këtë do të marrim një nga një shifrat për 4 komponentë: Edicionet informacione, transmetimin të aktiviteteve politike live, hapësira e dhënë në emisionet politike dhe në fund reklamat.
Nga 29 televizione të marra në monitorim nga AMA, Partia Socialiste ka 13.000 minuta në edicionet e lajmeve, ndërsa PD-ASHM, e drejtuar nga Sali Berisha ka mbi 16.038 minuta.
Në këtë distalancë shumë domethënëse televizioni i familjes Berisha bën diferencën, Syri Tv që në lajme Ramën dhe PS-në e ka transmetuar 438 minuta, ndërsa Berishën dhe aleancën e tij 5-fish më shumë, 2146 minuta.
Tabela e pasqyrimit të disa televizioneve në edicione informative, Syri Tv me të kuqe
Në edicionet e lajmeve të Report Tv gjatë gjithë fushatës elektorale siç e tregon qartë raporti i AMA, miratuar nga KQZ, PS është transmetuar 339.17 minuta dhe Partia Demokratike-ASHM 338.6 minuta. Një barazi perfekte.
Tabela e pasqyrimit të disa televizioneve në edicione informative, Report Tv me të kuqe
Duhet nënvizuar se i njëjti raporti, thuajse identik, në edicionet e lajmeve paraqitet edhe për transmetimet e sinkroneve të liderëve, me Berishën para Ramës.
I njëjti pasqyrim, me distabalancën në favor të PD, është edhe për transmetimet e aktiviteteve LIVE. Partia Socialiste është transmetuar 27.138 minuta nga 16 media të pasqyruara nga raporti i deritanishëm, ndërsa koalicioni i Berishës PD-ASHM 28.098. Për transmetimet live duhet thënë se aktivitetet e PS kanë qenë shumë më të gjata dhe më të shpeshta, krahasimisht me të PD por sërish pasqyrimi është në favor të kësaj të fundit. Edhe këtu dallohet disbalanca e jashtëzakonshme e Syri TV me vetëm 722 minuta për Partinë Socialiste dhe plot 5134 minuta për Berishën dhe aleatët e tij. Ndërsa Shijak Tv mban rekordin, pasi i ka dhënë PD-ASHM 3159 minuta, ndërsa PS-së dhe të gjitha partive të tjera zero minuta. Report Tv edhe në pasqyrimin LIVE është i vetmi televizion që ka ruajtur një balancë perfekte.
Sa i përket kohës televizive të dhënë në emisionet politike disbalanca është edhe më e madhe në favor të Partisë Demokratike dhe aleancës së saj. Në emisionet e 30 ditëve fushatë 25 televizione i kanë dhënë hapësirë PD-ASHM plot 28.145 minuta, krahasuar me rreth 11.353 për Partinë Socialiste. Pra opozita kryesore e vendit është pasqyruar 250% më shumë se PS në hapësirën e emisioneve. Nga 25 mediat kryesore të monitoruara për emisionet, 22 televizione i kanë dhënë kohë më shumë PD-ASHM në emisionet politike, ndërsa vetëm 2 Partisë Socialiste.
Edhe këtu dy televizionet me distalancën më të madhe janë Syri Tv dhe Shijak Tv. Për këtë të fundit edhe në emisione nuk ekziston Partia Socialiste pasi ka 0 minuta, ndërsa Partia Demokratike ka 8328 minuta. Balanca është ruajtur në perfeksion nga Report Rv, 634 minuta PS dhe 633 minuta aleanca opozitare.
Tabela e pasqyrimit të disa televizioneve në emisione politike, Report Tv me të kuqe
Jo vetëm koha televizive falas, por Partia Demokratike edhe në reklama është shumë më përpara Partisë Socialiste. Nga monitorimi i AMA në 21 televizione PD ka paguar plot 1085 minuta reklama, ndërsa Partia Socialiste ka 843 minuta. Pra Berisha në opozitë ka paguar më shumë reklama sesa Rama në pushtet.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
