Deshifrimi i platformës "Sky ECC" ka hedhur dritë mbi veprimtarinë e nëntokës kriminale, duke goditur bandat dhe krimin e organizuar në mbarë Europën.
Shqiptarët rezultojnë një ndër komunitetet më të lakuara në mesazhet e deshifruara të aplikacionit “SkyEcc”, si faktorë në botën kriminale, me ndikim në Europë dhe jo vetëm.
Së fundmi mediat greke thonë zbërthimi i aplikacionit famëkeq ka nxjerrë në pah veprimtarinë e mafies shqiptare në Greqi.
Të asistuara nga autoritet holandeze dhe belge, shteti grek është vënë në dijeni për një plan të mafies shqiptare, me qëllim ekzekutimin e 5 personave në Athinë, por edhe në Mykonos, Santorini dhe Kretë.
Nga të dhënat që disponon Policia e Athinës të marra nga deshifrimi i shkëmbimit të qindra mijëra mesazheve dhe fotove përmes “platformës së sigurisë” Sky ECC, përdorur deri në vitin 2021 masivisht nga 171,000 të dyshuar në të gjithë Evropën, mafia shqiptare duket se kishte shtrirë tentakulat në strukturat shtetërore greke.
Mediat thonë se anëtarë të mafies shqiptare kishin siguruar lidhje të forta me oficerë policie dhe jo vetëm.