Dua Lipa me presidentin Bajram Begaj

Mediat ndërkombëtare jehonë Dua Lipës: Mori nënshtetësinë shqiptare

28 Nëntor 2022, 15:55| Përditesimi: 28 Nëntor 2022, 16:01

  • Share

“Dua Lipa merr nënshtetësinë shqiptare”, kështu shkruajnë disa prej mediave ndërkombëtare si BBC, The Guardian, AP, Washington Post, Daily Mail, PageSix për këngëtaren e famshme.

Presidenti Bajram Begaj tha se Dua Lipa e ka bërë vendin "krenar me karrierën e saj globale dhe angazhimin në kauza të rëndësishme sociale". Këngëtarja e hitit ‘New Rules’ tha se ishte "një gëzim i madh i papërshkrueshëm" për të marrë nënshtetësinë shqiptare.

Pasi pozoi për foto me Presidentin Begaj në Bashkinë e Tiranës, Lipa bëri betimin për shtetësi, dha shenjat e gishtave dhe firmosi një formular aplikimi për kartë identiteti dhe pasaportë.

Ylli i popit lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.  Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy.

Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.   Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?