Faza me eliminimin direkt në Botërorin e Rusisë ka larguar dy skuadra të mëdha dhe dy yje të futbollit, më të mirët të botës. Argjentina dhe Portugalia janë mposhtur përkatësisht nga Franca dhe Uruguaj, teksa Kupës së Botës, pas largimit të Gjermanisë, tani do t’i mungojnë edhe Messi me Ronaldon.
Pikërisht largimi i dy më të mirëve të planetit ka qenë edhe kryefjala e mediave ndërkombëtare, të cilët faqet e para i kanë hapur me këto dy personazhe. “Nga ëndrra, te makthi”, e hap gazeta argjentinase “Ole”.
“Gazzetta dello Sport”, më e madhja në Itali hapet me titullin: “Yjet janë këta”, duke iu referuar Mbappesë dhe Cavanit.
Gazeta portugeze “Abola” ka si kryefjalë Ronaldon, me titullin: “Ëndrra e rënë”
Gazeta tjetër portugeze “Record” çelet me kryetitullin: “Fundi i kampionit”, duke e shoqëruar me foton e Ronaldos dhe Cavanit.
Ndërsa gazetat franceze natyrisht që i kushtojnë rëndësi kombëtares së tyre. “L’Eqiupe” shkruan më të mëdha: “Monumentale”, duke e ilustruar me festën e Mbappesë dhe Griezmann.
Në Angli, “Daily Mail” mjaftohet me: “Perfekt 10”, ku një foto e madhe e Mbappe me numrin 10 tregon gjithçka.
Në Spanjë vëmendja është përqendruar te ndeshja e sotme mes Spanjës dhe Rusisë, por gazeta “AS” në krye shkruan: “Cristiano dhe Messi shkojnë në shtëpi”.
Ndërsa “Mundo Deportivo” e hap me foton e Ronaldos dhe Messit, me titullin: “Mirupafshim yje”.