Shkëlzen Berisha është thirrur sot në SPAK për tu marrë në pyetje për shpërthimin me pasoja katastrofike të Gërdecit dhe do të japë shpjegime për çdo lidhje me këtë tragjedi. Një kabllogram i Wikileaks botuar nga DITA, tregon një raportim të Ambasadës në Tiranë për DASH, lidhur me atë që ndodhi në Gërdec. Kabllogrami i klasifikuar sekret raporton një bisedë në Ambasadë mes ambasadorit, stafit të ngushtë të tij dhe ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha. Hoxha thotë se Shkëlzen Berisha e ka kërcënuar dhe shton se ish-ministri Mediu ka ndjekur gjithë procesin në detaje.
Më poshtë teksti i kabllogramit
“…Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit.
Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi në Ambasadë se që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka marë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.
Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar.
Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një ‘djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, “pa asnjë vonesë”.
I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës. Mbi këtë ai tha se nuk ndihej i sigurtë që të fliste.
Ambasadori i tha se nëse hetimet e prokurorisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk konfirmoi që do ta bënte këtë. (shënim: Hoxha tha se ka plot të tjerë që e dinë këtë informacion).
Koment: Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin. I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Disa jashtë mbështesin versionin e ngjarjeve të Hoxhës. Si shef i ushtrisë, marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura; ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij.
Sipas të dhënave, Prokurorja e Përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj larg ushtrisë dhe Mediut. Nëse versioni i Hoxhës përmban elementë të vërtetë mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse PD ka avancuar me sulmet konstante ndaj institucioneve të pavarura pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke e drejtuar atë drejt pikëpyetjeve për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n…”
(fundi i kabllogramit)
Lajmi kryesor:
Hetimet e Gërdecit, Shkëlzen Berisha jep llogari në SPAK, i përfshirë në demontimin e armëve që solli 26 të vdekur: S'kam lidhje
K.T./ReportTv.al