Dmitry Medvedev, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë

Bota

Medvedev: Askush nuk na garanton që Ukraina nuk mund ta sulmojë Rusinë gjatë paradës së 9 Majit

3 Maj, 16:21| Përditesimi: 3 Maj, 16:23

  • Share

Dmitry Medvedev, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, deklaroi të shtunën se askush nuk mund të garantojë që kryeqyteti ukrainas, Kievi, do të mbijetojë deri më 10 maj nëse Ukraina sulmon Moskën gjatë festimeve të fitores në Luftën e Dytë Botërore më 9 maj.

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli të hënën një armëpushim tre-ditor në maj në luftën me Ukrainën, për të shënuar 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij në Luftën e Dytë Botërore.

Kremlini bëri të ditur se armëpushimi 72-orësh do të jetë më 8 maj, 9 maj – ditë kur Putini do të presë liderë ndërkombëtarë përfshirë presidentin kinez Xi Jinping për festimet që përkujtojnë fitoren mbi Gjermaninë Naziste dhe më 10 maj.

Duke reaguar ndaj ofertës së Moskës për një armëpushim tre-ditor, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është i gatshëm, për aq kohë sa armëpushimi të zgjasë 30 ditë, diçka që Putini tashmë e kishte përjashtuar për afatin e afërt, duke thënë se ai kërkon një zgjidhje afatgjatë dhe jo një pauzë të përkohshme.

Zelensky tha se Ukraina, për shkak të luftës në vazhdim me Rusinë, nuk mund të garantojë sigurinë e ndonjë përfaqësuesi të huaj që shkon në Moskë për paradën tradicionale të fitores më 9 maj.

“Nuk mund të marrim përgjegjësi për atë që ndodh në territorin e Federatës Ruse. Ata janë përgjegjës për sigurinë tuaj, dhe për këtë arsye ne nuk do t’ju japim asnjë garanci,” tha ai.

Medvedev, ish-president rus që është shfaqur si një nga zërat më të ashpër anti-perëndimorë në Moskë që nga nisja e luftës në Ukrainë, e quajti deklaratën e Zelenskyt një “provokim verbal” dhe tha se askush nuk kishte kërkuar garanci sigurie nga Kievi për ngjarjet e 9 Majit.

“(Zelensky) e kupton se në rast të një provokimi të vërtetë në Ditën e Fitores, askush nuk do të mund të garantojë që Kievi do të jetojë për të parë 10 majin,” shkroi Medvedev në kanalin e tij zyrtar në Telegram./Reuters

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?