Dmitry Medvedev nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë

Bota

Medvedev për Trump: Ta harrojë çmimin 'Nobel për Paqen'! Fillim i shkëlqyer, urime z.President

22 Qershor, 16:24| Përditesimi: 22 Qershor, 16:33

  • Share

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, deklaroi ditwn e sotme se presidenti amerikan Donald Trump kishte nisur një luftë të re duke sulmuar Iranin një veprim që, sipas tij, vetëm do të forcojë udhëheqësit në Teheran duke bashkuar shoqërinë rreth Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.

“Trump, i cili erdhi në pushtet si një president paqebërës, ka filluar një luftë të re për Shtetet e Bashkuara,” tha Medvedev.

“Me këtë lloj ‘suksesi’, ai nuk do ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe.”

Sipas tij, regjimi politik në Iran është ruajtur dhe me shumë gjasë është forcuar më tej.

“Populli po bashkohet rreth udhëheqjes shpirtërore madje edhe ata që më parë nuk e simpatizonin atë.”

Medvedev theksoi gjithashtu se infrastruktura bërthamore iraniane nuk duket të jetë prekur nga sulmet amerikane, ndërsa paralajmëroi se SHBA-ja rrezikon të përfshihet në një operacion tokësor.

Kremlini, që ka një partneritet strategjik me Iranin dhe lidhje të ngushta me Izraelin, kishte paralajmëruar më herët se një sulm i SHBA-së ndaj Iranit do të përfundonte duke e zhytur të gjithë rajonin në “greminë”.

Presidenti rus Vladimir Putin kishte ofruar disa herë ndërmjetësim mes SHBA-së dhe Iranit, por javën e kaluar refuzoi të komentonte mbi mundësinë që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të synonin eliminimin e Khameneit. Ai pohoi se Izraeli i kishte dhënë garanci Moskës se specialistët rusë që ndihmojnë në ndërtimin e dy reaktorëve të rinj në centralin bërthamor të Bushehrit nuk do të preken nga sulmet ajrore.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë dënoi ashpër sulmet amerikane, duke i cilësuar si një goditje serioze ndaj Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore, raporton Reuters. 

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të reagojë,” tha Moska.

“Është tashmë e qartë se ka nisur një përshkallëzim i rrezikshëm, që mund të dëmtojë më tej sigurinë rajonale dhe globale. Rreziku që konflikti të përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme, e cila tashmë është në krizë të thellë, është rritur ndjeshëm.”

Edhe pse Rusia ka nënshkruar këtë vit një marrëveshje strategjike 20-vjeçare me Iranin dhe ka blerë armë nga Teherani për luftën në Ukrainë, marrëdhëniet mes dy vendeve që nga themelimi i lidhjeve zyrtare mes Muskovisë dhe Perandorisë Persiane në shekullin e 16-të  kanë qenë të ndërlikuara dhe herë pas here të tensionuara.

Brenda Rusisë janë shtuar thirrjet që Moska t’i japë Iranit të njëjtën mbështetje që Perëndimi i ka dhënë Ukrainës — përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa dhe inteligjencë satelitore.

“Është koha që të ndihmojmë Teheranin,” tha biznesmeni rus Konstantin Malofeyev.

“Dhe njëkohësisht, t’u ofrojmë SHBA-së dhe Iranit ndihmë diplomatike për bisedime paqeje, duke emëruar një të dërguar të posaçëm. Edhe ne mund të luajmë këtë lojë.”

Nga ana tjetër, nacionalisti rus i burgosur Igor Girkin paralajmëroi se, nëse Rusia nuk e mbështet Iranin, Republika Islamike do të bombardohet deri në shkatërrim nga SHBA-ja dhe Izraeli, duke u zhytur më pas në kaos.

“Nëse Irani nuk merr ndihmën e nevojshme nga aleatët e tij, Rusia dhe Kina  dhe atë ndihmë serioze dhe të konsiderueshme atëherë, me shumë gjasë, brenda një muaji, armiqtë e tij do të arrijnë qëllimet e tyre,” shkroi Girkin në Telegram.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?