Pas një seancë që zgjati rreth 6 orë, Gjykata e Elbasanit vendosi të lërë në burg 16 nga 27 personat e arrestuar gjatë operacionit “First Day”. Ata akuzohen për shitje droge në doza të vogla. Gjatë operacionit u kapën vetëm shpërndarësit dhe jo “kokat” e narkotrafikut.
***
Në Gjykatën e Elbasanit u zhvillua seanca për masat e sigurimit për 27 personat e arrestuar për shpërndarje droge. Gjykata ka vendosur arrest me burg për 16 persona, 7 janë lënë me arrest shtëpie dhe 4 në masën detyrim paraqitje.
Seanca zgjati per rreth 6 orë dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Të arrestuarit u transportuan me autobus nga gjykata në paraburgim.
Gjatë megaoperacionit të koduar “First Day”, zhvilluar 4 ditë më parë, policia tha se janë sekuestruar sasi kokaine e kanabisi, pistoleta, peshore elektronike që shërbente për të peshuar lëndët narkotike, thika, përforcues grushti, steka duhani të kontrabanduara, laptopë, tableta, 24 celularë dhe shuma parash në euro, paund, dollarë e franga zvicerane.
Aksioni për trafikimin e lëndëve narkotike është zhvilluar në qytetet Prrenjas, Librazhd, Gramsh, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Elbasan.
Nga hetimi është arritur të identifikohen vetëm shitësit fundorë të hashashit e kokaines, që janë kapur me disa doza.
Ndërsa për furnizuesit e tyre nuk është arritur të sigurohen prova, pasi sipas prokurorisë, ata nuk rezulton t’u shesin lëndë narkotike personave të panjohur. Burimet e organit të akuzës bëjnë me dije se droga kalon në disa duar derisa mbërrin tek përdoruesit, përmes shitësve fundorë.
Nga hetimet, ka rezultuar se 27 personat që janë nën hetim, e shisnin drogën në zona të caktuara të lagjeve të qyteteve, pranë shkollave, në lokale apo dhe ambiente të tjera.
Komente
