'Tempulli'/ Përgjimet fundosin korrierin e kanabisit ‘xhel’! Me postë nga Kanadaja, 300 euro doza! Elgert Gjoni: 'Bari' më i frikshëm që ekziston

16 Shtator 2023, 10:59| Përditesimi: 16 Shtator 2023, 17:18

  • Share

“Bari më i frikshëm që ekziston”, kështu e përshkruan korrieri Elgert Gjoni, kanabisin xhelatinoz të rritur në llampa, të cilin e solli në Shqipëri me postë nga Kanadaja. 
I riu i arrestuar në kuadër të operacionit “Tempulli” në Tiranë, u vu në përgjim për një kohë të gjatë nga hetuesit që zbuluan se aktivitetin e tij kriminal e kishte shtrirë më së shumti në zonën e Unazës së Re.

Një bisedë që i arrestuari ka bërë me një të ri në rrjetin social Instagram, është provë në dosjen e hetuesve.  
Report Tv zbardh bisedën midis të dyve, ku diskutohet për cilësi, efekte kënaqësie, çmimin 300 euro dhe ditën e takimit për ta blerë. Fillimisht blerësi i kanabisit “magjik” trembet, por pas një shpjegimi më të detajuar të trafikantit, bindet për ta blerë.

Përgjimi i Elgert Gjonit
Elgert Gjoni: Nga cila
Enea: Nga ato pra.
Elgert Gjoni: Nga ato konservat? Enea: Konservat e peshkut.
Elgert Gjoni: Po të folim me atë bosin tjetër o xhi. Enea: Jo më të paktën naj 30 tshe ca me the ti mu?
Elgert Gjoni: Si 30 tshe konserva? Ato jan do pako të zeze
Enea: Ato që më tregove në foto o burr ca kishte apo se m
Elgert Gjoni: Po e di o xhi, që kush është 30 tshja o xhi.
Enea: Po dhe kjo e mirë ishte.
Elgert Gjoni: Është 3.5 (tre pikë pesë) gramë 30 tshja qic vlla se nuk I kam hy kot këtij muhabeti për 300 euro.
- Enea: 300 euro?
Elgert Gjoni: Po.
Enea: ca është kjo?
Elgert Gjoni: Rabi më i frikshëm që ekszisto
Enea: Jo mor shok se sdu me vdek unë.
Elgert Gjoni: Jo nuk vdes se ta jep do lloj efektesh që nu 30 tshe o xhi, është 3.5 gramshe dhe ajo qia robt e pëlqe
Enea: Atë do mor unë me kismet nga e premtja..

 Elgert Gjoni është mbajtur për muaj me radhë në vëzhgim nga agjentët e antidrogës dhe në fund është bërë blerje e stimuluar nga të infiltruarit për të faktuar shpërndarjen e kësaj droge të re që zbulohet për herë të parë në Shqipëri.

Gjoni arrinte të kamuflonte më së miri lëndën narkotike, të fshehur në kuti konservash apo plastike, me ambalazhim si lodra për fëmijë.  Droga, për nga cilësia jep një efekt 6 deri në 7 fish më të lartë se kanabisi i zakonshëm që kultivohet në vendin tonë.

 Në operacionin “Tempulli” u prangos për llogari të Policisë së Elbasanit, edhe Saimir Rexhepi, një personazh i njohur i rrjeteve sociale, që opinioni publik e njeh me emrin “Ujku i Cërrikut”.

Në përgjimet “Ujku” di t’i bëjë shumë mirë reklamë “mallit” të tij, tek ai blen gjithë Cërriku.

Pergjimi i Ujkut
K: Hë ujk, e more? Gjysmë është? E ke mall të mirë lali?
Ujku: Nuk të bëj be kot ty unë!
K: A është i mirë të paktën o vëlla?
Ujku: Ore qafsha të gjithë e merr gjithë Cërriku.

Operacioni i policisë së Shtetit në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve në 5 qytete, Vlorë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Tiranë, u kodua “Tempulli” një mënyrë figurative për të treguar se po rrezikohet tempulli i dijes, shkolla.

233 udhër arreste u lëshuan dhe deri më tani janë ekzekutuar 216. Ata dyshohet se janë anëtarë të 23 grupe kriminale që dyshohet të kenë vepruar duke shpërndarë drogë për të rinjtë pranë shkollave dhe lokaleve.

112 urdhër-arreste ishin vetëm në Tiranë.

Për nga numri i lartë i të arrestuarve, seancat për masat e sigurisë u zhvilluan në dy ditë në Tiranë. 61 të fundit dolën para togave të zeza këtë të shtunë. 16 shtator. Për 2 gra, njëra 68 vjeçare dhe tjetra shtatzënë e me fëmijë të mitur, gjykata la të pandryshuar masën e detyrimit të paraqitjes, sikundër dhe për një burrë 71-vjeçar i cili do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpiak. 

I moshuari me vendbanim në zonën e Freskut e shiste heroinën në emër të djalit. Ndërkohë për 3 gra të tjera të arrestuara në mesin e grupit të shpërndarësve të drogës, gjykata vendosi të lehtësojë masën nga arrest shtëpie, në detyrim paraqitje.

Me masën e sigurisë u njohën edhe 10 nga 69 të arrestuarit në Vlorë, dhe 10 nga 26 të arrestuar në Korçë, për të cilët asgjë nuk ndryshoi, edhe pse para togave të zeza mohojnë përfshirjen në shpërndarje të narkotikëve. Pjesës tjetër do t’u komunikohet masa ditët në vijim.

Teksa në gjykatat e Vlorës, Korçës e Tiranës, mbaheshin seancat për të akuzuarit, në Berat, Florenc Kullolli një 36-vjeçar, u arrestua pasi shiste doza me kanabis në një lavazh, brenda perimetrit të sigurisë së shkollës.

G.MO//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?