‘Megapharma’ thyen urdhrin e Autoritetit të Konkurrencës! Nuk shpërndan vaksinën e gripit, farmacistët: Kemi javë që e kërkojmë, ne na thonë ‘nuk kemi’! E çojnë vetëm tek ‘Orange’

16 Tetor 2020, 16:45| Përditesimi: 16 Tetor 2020, 17:12

  • Share

TIRANË- Depo farmaceutike Megapharma nuk i bindet urdhrit të Autoritetit të Konkurrencës për shpërndarjen e vaksinës për gripin sezonal. Një vëzhgim disa orësh i Report Tv në disa prej farmacive kryesore në Tiranë, nxori në pah se urdhri i një dite më parë të Autoritetit të Konkurrencës për të detyruar depon "Megapharma" për të shpërndarë vaksinën e gripit në çdo farmaci, ra në vesh të shurdhër!

Gazetarja: E keni marrë vaksinën e gripit sot?
Farmacistja: Jo jo jo. Nuk na e kanë sjellë, kanë thënë do e shpërndajnë dhe nuk e kanë sjellë. I kanë shpërndarë në dy ose tre farmaci aq sa kanë dashur të shpërndajnë.
Gazetarja: Se keni vaksinën as sot?
Farmacistja: Nuk na ka ardhur akoma. Depoja që e ka vaksinën, ka rrjetin e farmacive të veta, dhe nuk na e jep ne dhe e çon tek ato. Janë bërë gjërat monopol, por kur kam pyetur para dy tre ditësh na tha që nuk ka dhe ka mbaruar.

Asnjë prej farmacive në kryeqytet, nuk e disponon vaksinën anti-gripale, edhe pse kërkesën tek "Megapharma" e kanë bërë sapo mësuan urdhrin e Konkurrencës.

Farmacistja: Të pyes për vaksinën e gripit, çfarë është bërë?
Megapharma: Momentalisht nuk kemi, mbaroi ajo që kishim është shpërndarë, presim një sasi tjetër sepse flitet që do të vij. Ajo sasi që kishim mbaroi sepse ishin shumë pak dhe nuk e dinim që do shkonte kështu situata.
Farmacistja: Të pyes ishte kjo e “INFLUVAC-u”?
Megapharma: Po po “INFLUVAC-u”.
Farmacistja: Dhe me çfarë çmimi ishte?
Megapharma: Diku tek 13 mijë lekë (të vjetra).

Mungesën që depoja farmaceutike i argumenton farmacive, nuk e ndjen aspak rrjeti farmaceutik "Orange", në të cilën ‘Megapharma’ ka 75% të aksioneve, me pronar Rasim Hamzaraj, kushëri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Gazetarja: E keni vaksinën e gripit?
Farmacistja: Po e kemi.
Gazetarja: Sa kushton?
Farmacistja: 1270 lekë

Kështu, depoja farmaceutike "Megapharma" po e shkel me të dyja këmbët urdhrin e autoriteteve për të goditur konkurrencën e pandershme dhe monopolizimin e tregut. Shpërndarja e vaksinës kundër gripit sezonal ka nisur prej fillimit të tetorit për grupet e riskut, çka ofrohet falas nga shtetit, ndërsa të gjithë qytetarët e tjerë që dëshirojnë ta bëjnë vaksinën në privat, nuk po munden dot për shkak të abuzimit nga ana e "Megapharma" që nuk e ndali një urdhër në letër i Autoritetit të Konkurrencës.

Ky vendim erdhi pas disa muajve hetime, që nisën edhe pas vëzhgimit të Report Tv për mungesën në treg të vaksinës, ndërsa e njëjta depo farmaceutike, "Megapharma", nuk i shpëtoi dot edhe një gjobe 1 milionë lekë të rinj për rritjen e çmimit të maskave dhe dezinfektantëve në mënyrë abuzive në kohën që shqiptarët u dyndën për blerjen e këtyre produkteve kur u shënua kulmi i pandemisë.

Sipas urdhrit të Konkurrencës, depoja farmaceutike do të gjobitet me 10% të xhiros vjetore nëse nuk e shpërndan njëtrajtësisht vaksinën e gripit. Nga një përllogaritje që Report Tv bëri, kjo përkthehet në 227.4 milionë lekë, pasi në vitin 2019, "Megapharma" ka deklaruar  një xhiro vjetore prej 2.274 miliardë lekë.

Por teksa duket se urdhrat dhe penalizimet nuk e trembin  buxhetin e "Megapharma" përsakohë vijon të mos e shpërndajë në farmaci të tjera vaksinën, si depoja e vetme që e ka importuar nga jashtë, të vetmit që e vuajnë në kurrizin e tyre janë qytetarët jashtë grupeve të riskut, që ende edhe pse po i vjen fundit muajit tetor, nuk do të mund ta blejnë vaksinën. Zgjidhja në këtë rast, ndoshta do të ishte në një reagim më të ashpër të Autoritetit të Konkurrencës, si heqje të licencës ose referim në prokurori për konsumim të veprës penale.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ppsh: 16/10/2020 23:03

    Ju q..sha autoritetin kush pergjigjet per kete autoritet ai qe kerkon mandatin e trete?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?