Belgjikë - Në sallën e gjyqit në Namur, të martën, u paraqitën një grup prej 20 të akuzuarish, nga 50 që janë në total, të gjithë të dyshuar për përfshirje në një rrjet të gjerë kriminal që merrej me prodhimin dhe shitjen e kanabisit.
Një emër që është përmendur vazhdimisht gjatë procesit është ai i një shqipatir, Alket V., i cili akuzohet se është kreu i këtij rrjeti kriminal të trafikut të drogës. Dosja hetimore ndaj kësaj organizate droge është emërtuar “Sky Ecc”.
Alket V. ishte dënuar me 10 vjet burg dhe ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pasi kishte ikur në Spanjë. Nga atje, ai supozohet të ketë udhëhequr prodhimin e kanabisit.
Tashmë i arrestuar, Alket V. e kundërshton rolin e tij si kreu i rrjetit. Por provat e paraqitura nga prokurorja Emilie De Fays e përshkruajnë Alketin si një person që rekrutonte, paguante, organizonte, shiste dhe importonte drogën.
Sipas akuzës, biznesi i tij ishte jashtëzakonisht fitimprurës. Në dhjetor të vitit 2020, ai arriti të shesë 13 kilogramë kanabis për një shumë prej 59,800 eurosh. Çdo javë, një klient i madh blinte midis 40 dhe 50 kilogramë. Në një dëshmi tjetër, një nga të akuzuarit është mburrur se kishte fituar 50 mijë euro vetëm në 1 orë.
Si bëhej pastrami i parave?
Prokuroria belge thotë se Alket V. përdorte sistemin hawala për të transferuar paratë në Shqipëri. Ky sistem tradicional, i përdorur prej shekujsh në Azinë dhe Lindjen e Mesme, mundësonte kalimin e parave pa lënë gjurmë apo regjistrime. Përveç kësaj, paratë që transferoheshin në Shqipëri kalonin përmes një ndërmjetës që transferonte shumën tek një tjetër person në Shqipëri. Pas kësaj, një pjesë e parave kthehej në Belgjikë përmes një shoqërie fasadë, e cila pretendonte të merrej me ndërtim dhe rinovim, por gjatë kërkimeve nuk u gjet asnjë pajisje apo material që do të tregonte se kompania kishte aktivitet. Ky ishte një rast tipik i pastrimit të parave përmes investimeve fasadë.
Përgjimet:
Në një bisedë të regjistruar në nëntor 2023, Alket V. dhe gruaja e tij diskutuan për transferimin e 70 mijë eurove përmes këtij sistemi. Ndërkohë që e gjitha paraqitej si një kredi familjare, ajo ishte në fakt një mënyrë për të pastruar para të fituara nga trafiku i drogës. Ky transferim i dyshuar u përdor për të financuar blerjen e një shtëpie në Belgjikë, me të dhëna të pastra financiare që shërbenin për të fshehur origjinën e parave. Në përfundim të seancës, prokuroria kërkoi një dënim prej 14 vjetësh burg për Alket V. për përfshirjen e tij në këtë rrjet të madh kriminal dhe pastrimin e parave të fituara nga aktiviteti i jashtëligjshëm.
Komente
