Sali Berisha, Genc Pollo dhe Tritan Shehu

Mëkatarët/ Si politikanët kërkuan dosjet e njëri-tjetrit në ‘98 për lidhje me ish Sigurimin dhe UDB-në! Pse spiunët u strehuan në partitë e djathta

24 Tetor 2022, 20:42| Përditesimi: 24 Tetor 2022, 20:46

  • Share

Mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike me në krye Enkelejd Alibeajn ka një dakordësi për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, përmes ndryshimit të ligjit të vitit 1999 për informacionin e klasifikuar, duke bërë përmbajtjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit të aksesueshme nga mediat dhe publiku. Nisma ligjore e propozuar në Kuvend deklasifikon dosjet e ish Sigurimit, duke mundësuar ekspozimin e përmbajtjes së tyre në publik. Një nismë e tillë ligjore, nëse do të miratohet, do të prodhonte ‘tërmet’ në politikën shqiptare, por edhe në universitete, ushtri, polici, drejtësi, diplomaci dhe sektorë të tjerë, ku dyshohet se ushtrojnë funksione të caktuara bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit.

Dhe Shqipëria e ka kaluar një eksperiencë të tillë para 25 vitesh, ndonëse në rrethana të tjera, me shumë pengesa, burokraci dhe që u ndërpre shpejt nga vetë politika. Bëhet fjalë për veprimin e Komisionit Bezhani, i krijuar me ligj të veçantë në vitin 1997 me në krye Nazif Bezhanin, për kontrollin e figurës së zyrtareve dhe personave të larta, për lidhjet e tyre me ish-Sigurimin e Shtetit. Komisioni verifikonte zyrtarë të niveleve të ndryshme, ku në bazë të raportit të tyre me ish Sigurimin e Shtetit, propozonte shkarkimin nga detyra, uljen në një detyrë të ulët ose i pajiste me certifikatë të pastërtisë së figurës nëse nuk gjente dokumente rreth tyre.

Në librin me titull ‘Mëkatarët’, Nazif Bezhani rrëfen se në pranverën e vitit 1998 u përball me një bum kërkesash nga politikanët e Tiranës, të cilët kërkonin dosjet e njëri-tjetrit për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit dhe USD-në, shërbimin sekret të ish Jugosllavisë. Kërkesat, sipas Bezhanit, vinin nga partitë e djathta, për t’u siguruar se në kupolat e tyre nuk kishte spiunë. Por, kërkimet e Komisionit konfirmuar se një pjesë e bashkëpunëtorëve të 

Një fraksion i shkëputur nga Partia Demokratike, që kryesohej nga Genc Pollo dhe Tritan Shehu kërkuan dosjen e Sali Berishës, duke shprehur bindjen se ka qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit. Por, përgjigja e Bezhanit ka qenë befasuese për grupin e Pollos.

Pjesë nga rrëfimi i Nazif Bezhanit në librin ‘Mëkatarët’

Në pranverë të vitit 1998, Komisionit i erdhën kërkesa të shumta nga parti të krahut të djathtë, për të kontrolluar figurën e anëtarëve të kryesisë së tyre, nga të cilët shumica përbëhej nga ish-të persekutuar politikë. Fillimisht, i prapësova kërkesat e tyre, për shkak se nuk kishin bazë ligjore, por disa kryetarë partie këmbëngulën, duke kërkuar kryerjen me çdo kusht të kontrollit të figurës të kryesisë së tyre, për shkak se ishin parti të djathta dhe duhet të siguronin pastërtinë e anëtarëve të tyre. Komisioni vendosi të bëjë verifikim në kushte të veçanta, por duke ruajtur sekretin e veprimeve dhe të përfundimeve që do të rezultonin nga kontrolli. Do t'u jepej përgjigje verbale vetëm kryetarëve të partive, kur në listat e tyre të figuronin me të dhëna të sakta penalizuese një numër i vogël anëtarësh.

Kërkesa e parë që u kontrollua ishte e një partie që kërkonte verifikim të figurës për anëtarët e kryesisë. U verifikua kërkesa e tyre, por u vendos të mos i jepej asnjë përgjigje, për shkak se, nga të shtatë anëtarët e kryesisë, tre rezultuan bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Dhe nga këta, dy ishin të persekutuar politikë, të rekrutuar gjatë kohës që vuanin dënimin në burgjet e monizmit.

Një parti tjetër, e quajtur e djathtë, kërkoi verifikimin e figurës vetëm për dy nga anëtarët e kryesisë, me sa duket për shkaqe personale. Kryetari i kësaj partie e kishte bërë kërkesën me shkresë zyrtare dhe e pruri personalisht në zyrën time, duke më thënë se: "Kam dyshim se këta kanë qenë spiunë të Sigurimit, prandaj të lutem me i kontrolle me shumë kujdes."

Disa ditë pas ardhjes së kryetarit, më kërkuan takim dy të interesuarit. Ata më thanë se kryetari i tyre kishte qenë agjent i UDB së dhe më lëshuan në tavolinë një libër, duke më thënë: "Lexoje vetë, ka kaluar kufirin e Shqipërisë më se 10 herë për llogari të UDB-së."

Nuk u premtova asgjë. Mendova se kisha të bëja me një problem shumë të ndërlikuar, prandaj duhej të refuzoja me çdo mënyrë kërkesat e tyre. Në fakt, kisha të gjitha mundësitë për t'i refuzuar këto kërkesa, për shkak se ato ishin pa bazë ligjore. Dhe kështu u veprua.

Por një nga ngjarjet interesante ishte shkëputja e një fraksioni nga Partia Demokratike, me pretendimet e tyre kundër udhëheqjes së partisë. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, i konsideruar kryetar provizor, erdhi në zyrën time dhe me kërkoi me këmbëngulje kontrollin e figurës së kryesisë së Partisë Demokratike, e, në veçanti, të Sali Berishës dhe të Pjetër Arbnorit. Ai më siguroi se të dy këta kanë qenë agjentë, por jo vetëm këta. Kur unë kundërshtova për të marrë përsipër një verifikim të tillë, për shkak se nuk kishte bazë ligjore, i ashtuquajturi kryetar më kërcënoi se do t'i drejtohej për gjykim opinionit, nëpërmjet masmedias.

- Më vjen keq për mungesën e kontrollit të vetvetes. Unë ju sqarova se ligji nuk parashikon kontroll të figurës për partitë politike. Atëherë, të veproj kundër ligjit, këtë kërkoni ju?! Veç kësaj, më çudit edhe diçka tjetër, ju akuzoni z. Pjetër që ka kaluar të gjithë jetën në burg, plot 28 vjet!

-28 vjet agjent i Sigurimit të Shtetit! - u përgjigj i irrituar.

- Absurditet! - iu përgjigja unë. E pashë keq me të, por e gjeta shpejt një rrugëzgjidhje:

- Për mendimin tim, kërkesa që bëni do të kishte një motiv logjik, në rast se ju, si grup fraksionist, i drejtoni një kërkesë Komisionit me firmën e të gjithëve për kontrollin e figurës suaj, dhe krahas kësaj, të kërkoni publikisht edhe kontrollin e figurës së anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, duke u bërë thirrje që edhe ata të ndjekin shembullin tuaj.

Ky propozim i pëlqeu shumë kryetarit të grupit, i cili u duk më i qetë dhe më zgjati dorën, duke më thënë: -Keni të drejtë, kjo është rruga më e arsyeshme, Do të vij shpejt.

Nuk kaluan as dy orë, kur kryetari i grupit kthehet me një listë në dorë, të firmosur nga shokët e tij. Unë po zbrisja shkallët e Ministrisë, për të shkuar në SHISH. Dhe, pikërisht në rrugë, më dorëzon letrën me firmat e 11 anëtarëve të grupit. E futa atë në xhep dhe u nisa, duke marrë me vete edhe një ndjenjë dyshimi për ta, që më bëri kurioz dhe më detyroi të bëj verifikimin në më pak se dy orë. Nga të 11 fraksionistët, dy prej tyre dilnin me njolla serioze. Më bëri përshtypje, veçanërisht, njëri prej tyre, që shoqëronte kryetarin, i cili mu duk më llafazan dhe më këmbëngulës për kontrollin e figurës së Kryesisë së Partisë Demokratike. Ai më tha se, “jo vetëm unë, por e gjithë familja jonë ka qenë e persekutuar nga regjimi i Enverit, ndërsa tani kërkojmë të na udhëheqin këlyshët e tij. Jo Zotëri, ne nuk mund ta lejojmë këtë!”. Dhe pikërisht, ky “trim” kishte një dosje shumë të madhe. Unë shënova në bllok pseudonimet e tyre: “trëndafili” dhe “sqepari” dhe vendosa të mos merresha me ta.

Që të nesërmen, pa e zgjatur shumë, më erdhi në zyrë i gjithë grupi. Pasi dëgjova presionet e tyre, me mllef kundër udhëheqjes së Partisë Demokratike, u përgjigja vendosmërisht dhe më nënkuptim.

-E kam të qartë se sa të shqetësua jeni për ruajtjen e pastërtisë së partisë suaj, për ta shpëtuar ata nga rreziku i shndërrimit në një parti me ideologji komuniste, por në këto kushte, unë e kam shumë të vështirë për t’ju ndihmuar. Në radhë të parë duhet të plotësoj detyrimet ligjore. Arkivat janë plot më kërkesa për kontrollin e figurës së funksionarëve të lartë të shtetit. Dhe, të bësh kontrollin e një personi, nuk është aq e lehtë, për shkak se në kompjuter janë shënuar vetëm pseudonimet e tyre; për shembull vetëm pseudonimi ‘trëndafili’ dhe ‘sqepari’, po hajde e gjej dosjet e tyre, për t’u njohur me veprimtarinë konkrete që kanë kryer.

Kur thashë dy pseudonimet ‘trëndafili’ dhe ‘sqepari’, ktheva sytë nga dy fraksionistët, që kishin mbajtur dy pseudonimet, të cilët m’u dukën të vilanosur, me fytyrë të prerë dhe në heshtje varri.

Njëri nga ata kapi për krahu kryetarin e grupit, e tërhoqi paksa dhe i tha: "Hajde te dalim."

Pastaj, o kthye nga unë dhe shtoi: "Keni të drejtë, z. Kryetar, po heqim dorë edhe nga lista jonë." Dhe ikën për të mos u kthyer më.

Për ish-të persekutuarit dhe të përndjekurit politikë të regjimit monist, m’u paraqitën disa herë edhe kërkesa zyrtare. Para zgjedhjeve të kryesisë së Shoqatës së Tiranës, më vjen në zyrë personalisht kryetari i kësaj dege, me një shkresë zyrtare, për verifikimin e figurës së disa personave që do të kandidonin. Por ai arsyetoi mungesën e shkaqeve ligjore dhe pranoi ta marrë me vete përsëri kërkesën. Fill pas kësaj vizite, më erdhi një shkresë zyrtare, me firmën e z. Kurt Kola, kryetar i Shoqatës së të Persekutuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, në të cilën kërkohej verifikimi i një numri të madh ish-të persekutuarish e të përndjekurish politikë, për shkak të zgjedhjeve që do të bëheshin së shpejti në atë Shoqatë.

Lexova vetëm shkresën e firmosur personalisht prej tij dhe u ktheva nga kompjuteri për t'i bërë një përgjigje, ndoshta jo aq etike. Në fakt, kishte karakterin e një qortimi shoqëror, për të mos u rënë në qafë ish-të persekutuarve dhe të përndjekurve politikë të regjimit monist; për të mos i persekutuar më tej ata. Për këta njerëz duhej marrë në konsideratë jo vetëm baza ligjore, por edhe shkaqe të tjera të forta, që burojnë nga arsyetimi logjik dhe njerëzor në gjykimin e dramës së tyre.

Do të mjaftonte një pyetje e thjeshtë, për të nxjerrë një konkluzion të tillë: si është e mundur, vallë, që njerëz të tillë, të deklaruar armiq të Partisë e të Shtetit dhe të persekutuar në mënyrë barbare, të transformojnë kaq shpejt ndërgjegjen e tyre?! Nuk do shumë mend për të kuptuar se ai bashkëpunim është arritur në një labirint të tmerrshëm, që kishte si vijedalje vetëm një derë, atë të bashkëpunimit ose të vdekjes. Për ta bërë publikisht të qartë këtë rrugë, jo pa qëllim, botova pjesë mahnitëse nga "Testamenti jem" -i të burgosurit politik Bedri Spahiu, që është një dëshmi e saktë, një dëshmi e plotë, një pasqyrë e gjallë e dhunës makabre, që kishte vetëm një qëllim: zhdukjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm.

Ai flet për "qelitë e zeza", për njerëzit-shtazë, që gjenin qetësinë e shpirtit të tyre të egër vetëm me torturat e tmerrshme që u bënin njerëzve të pafajshëm. Ai ka gërmuar dhe ka zbuluar të vërtetën makabre për mekanizmat e inkuizicionit, që përgatiste apo zhdukte çdo provë që i duhej sundimtarit, që fabrikonte çdo dëshmi të rreme me mjetet më mizore, për të siguruar bazën e proceseve parafabrikat.

Dhe, pikërisht, duke patur parasysh këto forma dhe metoda çnjerëzore, të përdorura nga organet e Sigurimit të Shtetit. del pyetja tjetër: a duhet të penalizohen akoma këta të persekutuar të inkuizicionit, për shkak të një deklarate për bashkëpunim, që kanë lëshuar për t'i shpëtuar dhunës?! Përgjigjja është ligjore dhe logjike: pesha e fajësisë së tyre nuk duhet të kërkohet në dëshmitë e lëshuara nëpër qeli, por në veprën e secilit.

Gjatë kontrollit të listave të dërguara në arkivin e SHISH-it, ka rastisur që të ndeshemi edhe me të persekutuar që kanë preferuar vullnetarisht t'u shërbejnë organeve të Sigurimit të Shtetit. Një ditë më doli në kompjuter, fare rastësisht, një personalitet i lartë politik, që i pëlqen shumë të mbahet e të duket, të flasë nëpër mitingje, herë para e herë pas të të japë shpesh edhe deklarata apo intervista në masmedia, etj.

Kurioziteti më shtyu t'i shikoja edhe dosjen. Më tërhoqi fotografia e tij shumë simpatike, sigurisht dalë rreth 20 vjet më parë, kur ishte djalë i ri. Pashë edhe raportet që kishte bërë, për shokët, me pseudonimin "Pashtrik", një emër që e dëgjoja për herë të parë, ndonëse është emërtim i rëndësishëm gjeografik. Pashë deklaratën e tij për bashkëpunim me organet e Sigurimit të Shtetit, të shkruar bukur, bile në qeli.

U mërzita aq shumë, sa e lashë arkivin dhe u ktheva në zyrë, me një ndjenjë të thellë neverie. Përshtypje të tjera kisha për të, ndërsa gjithçka u përmbys menjëherë, duke më krijuar një ndjenjë përçmuese e të urryer për figurën e tij; më doli përpara pikërisht agjenti me kokë miu, që duhej futur ne kategorinë e kafshëve. Por një ditë më del në rrugë, ballë për ballë, dhe më hidhet në qafë me entuziazëm, si të ishte shumë i malluar për mua. Filloi te më lëpihej e të më servilosej, të më tregonte se kishte lexuar dy librat e mi të fundit dhe i kishte pëlqyer shumë etj., etj. Pastaj me pyeti në mënyrë konfidenciale:

-Po ç'kemi ndonjë gjë tjetër? Si po ia çon? Si po ia çoj?! Në punë. Në shtëpi. Dëgjoj edhe televizorin. Mbrëmë dëgjova se nga Maqedonia kishin ardhur ca ujq në "Pashtrik".

Ai e nuhati menjëherë ironinë dhe, sapo dëgjoi të përmendej pseudonimi i tij, "Pashtrik", i ndryshoi fytyra dhe gjuha i zbriti në gurmaz. Më zgjati dorën në heshtje, që m'u duk si dora e ftohtë e një kadavre, dhe iku kokulur e pa bërë zë.

Pas disa ditësh më doli edhe një herë tjetër përpara, ballë për ballë, në afërsi të Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai u trondit aq shumë, sa s'dinte ç'të bënte. Dhe, për t'i shpëtuar takimit, nxitoi të futej në banjën publike. E gjeti shumë shpejt derën; era nuhati erën! Siç shihet, mëkatarë të tillë atje e gjejnë shpëtimin, pranë lëndës me të cilën është gatuar ndërgjegjja e tyre.

Por ka edhe të tillë, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit që kanë pranuar me vullnetin e tyre t'i shërbejnë veprimtarisë kriminale të këtij institucioni dhe kanë depërtuar, si gjarpër, në funksione të larta shtetërore, në sistemin demokratik, duke paraqitur me krenari laurën e të persekutuarit politik. Kundër tyre kam zbatuar pa hezitim dispozitat ligjore.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ta Rras Lala: 25/10/2022 08:11

    O Ali Baba komplet palla po Idjot është non grata që e shikon që gjith Bota se don e në politik vazhdon. E votohet si njerëz si ty o Ali kok shalqi. Ti dukesh që nga emri o turkoshak që je debil.

    Përgjigju
  • Ali: 25/10/2022 07:05

    E ka si sindrome idiotllekun Rama dhe e trasmeton deri ne media.

    Përgjigju
  • TUTKUN REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 24/10/2022 21:31

    Shikoni TRITAN PRESHI trëndafil me ves e Kuqalashi Genc Pollo Sqepari HALES. O Zot çfar ka hequr i shkreti popull Shqiptar me kto lloi fundërinash si KUQO Genc Pollo dhe Preshi TRITAN. E kto lloi qelbësirat vazhdojn e paguhen me pagat e larta nga taksat e këti populli të varfër. Mjer Shqipria.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?