Çështja e inceneratorëve hyri në një nivel të ri me urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK nga ku dorëzimi i mandatit të deputetit Bllako përbënte pozitën më të lartë të listës nr. 2 të të pandehurve. Lajmi i mirë pas hidhësisë në shije që të zbulimi i abuzivizmit apo i një afere korruptive është se drejtësia po jep shenja të qarta se po bën punën e saj. Tashmë jo e nxitur politikisht dhe me prapavijën e interesit të partisë në pushtet, por në shërbim të ligjit dhe interesit publik. Vetëm duke e krahasuar me zhurmën pa ritëm dhe zjarrin pa tym që shoqëroi punën e Komisionit Hetimor parlamentar e që nuk prodhoi asgjë me efikasitetin pa bujë të organeve të drejtësisë në hetimin e çështjes, mjafton jo thjesht për krahasim. Dhënia e drejtësisë dhe forca e akuzës ka kohë që i ka rrëshkitur si e drejtë e politikës. Në 30 vite pluralizëm ndërsa foltoret e parlamentit ishin shndërruar në podium akuzash ndaj kundërshtarit, ato nuk prodhuan asnjë denoncim apo dënim konkret, sado që aferat që përfaqësuesit politikë i vishnin njëri tjetrit ishin të ububushme dhe kriminale. Thuajse askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë nga akuzat e politikës. Kjo jo pse vërtet ato ishin fare bosh dhe fluturake si çdo gjë për të cilën politikanët nuk mbajnë përgjegjësi sipas ligjit, por pse përdoreshim rëndom për shantazh. Ama për çdo shantazh kish një antishantazh, pas çdo akuze kish heshtje të dyanshme dhe kështu grehina e korrupsionit ngriti shtat me kontributin e përbashkët të të gjithë klasës politike, pa dallim ngjyre, krahu apo ideologjie. Sot, nëse ka diçka të mirë dhe për të cilën politika nuk mund të mburret se ishte protagoniste, por pse u detyrua të ngrejë unanimisht votën, është reforma në drejtësi. Me 100 halle, me shumë oshilacione por që gjithësesi nuk mund të thuhet se është e tëra si dikur nën kontrollin dhe shërbimin e politikës. Një korpus jo i vogël i kësaj drejtësie të re nuk i përket as të majtës dhe as të djathtës, as presidentit, as oligarkut dhe ca më pak krimit. Dhe ky është ogur i mirë. Është një shpresë se të pandëshkueshmit do të ndëshkohen një ditë, se korrupsionit që ka marrë kot në çdo aspekt të jetës mund ti vihet fre të mos kalërojë kaq pa frikë, që politikani të mos indihet i paprekshëm kur abuzon me pushtetin dhe bashkë me të dhe oligarku i cili përfiton nga skemat korruptive. Shteti i vërtetë nis me të drejtën. Në të kundërt do të mbetemi një kaos-shtet ashtu siç kemi qenë në këto 30 vite. Mund të kesh qeveri, ushtri e polici, mund të kesh edhe gjykata fasadë, edhe ligje e kushtetutë në letër, por kur e drejta është e arratisur gjithshka do të bjerë dhe do të shkërmoqet një ditë.
Ndaj është e panatyrshme sot, që ndërsa SPAK ka thelluar hetimet për aferën korruptive që shoqëron çështjen e inceneratorëve të shfrytëzohet kjo arritje e për ta përdorur për kapital politik. Eksponentët kryesorë të politikës së sotme as nuk pastrohen dot dhe as bëhen shenjëtorë nëse nuk janë përfshirë direkt nëkëtë aferë, pasi realisht janë kontribuesit e mëdhenj të korrupsionit ndër vite. Këtë çështje e ka nisur drejtësia dhe merita e vendimi për të i takon asaj. Për më tepër politika, me dobësinë e saj të sotme, me krizën e besimit që e shoqëron, as nuk ka këllqe se mund të kontribuojë për diçka pozitive.
Le të shohim realitetin pa syze politike dhe pa u ndikuar nga zhurma deklarative e pinjollëve të vjetër të politikës. E gjithë klasa politike sot ndodhet në një krizë ekzistencialiste. Maxhoranca ndihet e goditur dhe e trysnuar nga drejtësia përsa kohë në rrjetën e hetimeve bien përfaqësues të saj. Opozita ca më keq është e shkalafitur dhe pa busull orientimi. Vetë PD ndarjen në dy kampe antagoniste mes tyre e ka të brujtur pikërisht në një vendim që ka të bëjë me shpalljen non grata të Berishës. LSI duket një çetë e shpërndarë nga ku Meta nuk dihet sa do të gjejë më 24 maj pasi të lerë presidencën, ndërsa partitë e tjera ndihen të vetëmjaftuara për të gëzuar mandatin e deputetit që ia morën PD-së në 25 prill. A mund të shpresohet ndonjë gjë positive nga kjo shpurë politike? A mund të ketë hë për hë zgjidhje të ndryshme apo shpresë të re nga ky farë tregu politik që ofrohet? Absolutisht jo. Ky treg i gjasë së gjallë politik dhe sidomos kjo opozitë që është rralluar e shushatur si nga gripi i pulave, as mund të pretendojë se mund të përbëjë zgjidhje. Ndaj dhe britmat puritane e shkelmat që hedh janë fallco dhe sa për të thënë jam ende gjallë. Thirrjet për dorëheqje janë vetëm truk pasi është opozita ajo që është më e frikësuara për zgjedhje të reja, pasi mund ti jepte mundësi Ramës të kish 90 deputetë pa ndonjë mund të madh. Ndaj kur nuk kanë këllqe të për të dhënë zgjidhje të reja e ndryshim balancash më mirë ta mbajnë në fre makutërinë që kanë për protagonizëm politik dhe këtë çështje tia lënë ta menaxhojnë ata që e kanë nisur, SPAK dhe drejtësia e re. Ajo çfarë mund të shpresojmë ne si qytetarë të këtij vendi ndërsa vijon beteja e drejtësisë ndaj korrupsionit, është që të paktën politika të vetrregullohet. Përderisa në horizont nuk duken forca të reja që të mbushin boshllëkun e besimit që kanë krijuar partitë e vjetra, kjo mbetet e vetmja shpresë. Pra që qeveria të vetrregullohet në ushtrimin e pushtetit të saj dhe në funksion të luftës ndaj korrupsionit ndërsa opozita të vetformohet si opozitë e vërtetë. Për fat të keq, në horizont nuk ka zgjidhje të tjera…