Autoritetet meksikane kanë arrestuar Ovidio Guzmán, djalin e bosit famëkeq të drogës Joaquin “El Chapo” Guzmán, udhëheqësi i kartelit Sinaloa. Arrestimi i tij u krye vetëm disa ditë përpara se Presidenti Biden planifikon të bëjë vizitën e tij të parë në Meksikë më 9 janar.
Ovidio Guzman u arrestua pas një operacioni që u zhvillua në qytetin Culuacan, dhe në arrestimin e tij u përfshinë njësitë elitare si dhe u përdorën helikopterët.
Banditët reaguan menjëherë, duke krijuar postblloqe me automjete të djegura si dhe qëlluan me armë. Situata ishte me rrezikshmëri shumë të lartë dhe autoritetet njoftuan qytetarët që të qëndrojnë brenda në shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut që u kanosej. Aeroporti u mbyll, ndërsa një ndeshje futbolli u pezullua.
Masat ekstreme u morën për të shmangur atë që ndodhi gjatë arrestimit të tij në tetor të vitit 2019, ku për të evituar një tragjedi të mëtejshme dhe frikën e një sulmi të përgjakshëm, presidenti Andrés Manuel López Obrado dha urdhër që ta lironin atë.
Ovidio, i njohur gjithashtu si El Raton, drejton me vëllezërit e tij një pjesë të rrjetit të drogës të trashëguar nga babai i tij Joaquim, sot i mbyllur në burgun e sigurisë maksimale të Firences në Kolorado. Sipas mediave ai mund të jetë tradhtuar nga armiqtë e brendshëm apo nga bandat rivale, por mund të jetë zbuluar edhe falë mbështetjes së inteligjencës amerikane që operon në mbështetje të Meksikës.