Melania Trump thotë se nuk ka shumë gjasa që të vendoset me kohë të plotë në Uashington në herën e saj të dytë si Zonja e Parë.
Madje duket se thyerja e traditave ka nisur që me mungesën në takimin simbolik me çiftin presidencial në ikje Jill Biden e Joe Biden sot në Uashington.
Sipas burimeve për CNN thuhet se Melania Trump ishte e zënë me promovimin e librit të saj dhe konfirmonin se ajo nuk do të jetë në takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk jam në ankth, sepse kësaj here është ndryshe, kam më shumë eksperiencë dhe njohuri. Tani nëse shkoj në Shtëpinë e Bardhë, e di se çfarë pres”, tha ajo me herët në një intervistë me rrjetin Fox News për promovimin e librit.
Melania Trump pritet të kalojë shumicën e kohës mes New York City e Palm Beach në Florida, dhe më pak në Shtëpinë e Bardhë shtojnë burimet, të cilat insistonin se gjithsesi do të jetë prezente në eventet e rëndësishme dhe detyrimet e zakonshme te Zonjës së Parë.
Kur ishte Zonja e Parë, Trump kishte ruajtur një profil të ulët duke pritur gratë e liderëve botërorë dhe duke u kujdesur për vizitat e celebrimet shtetërore.
Në maj 2018, Melania prezantoi programin e saj “Be Best” në lidhje me ndihmën ndaj komunitetit për mirëqenien e fëmijëve, për krizën e drogave opiate në SHBA dhe me rreziqet që fëmijët mund të preken nga qëndrimi i tepërt në rrjetet sociale, shkruan CNN.