Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë kryeministren italiane Giorgia Meloni. “Është një person i jashtëzakonshëm”, deklaroi Trump sapo Meloni mbërriti.
Takimi kishte në fokus marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe çështje të tjera ndërkombëtare me rëndësi të përbashkët. Trump u shpreh “shumë i sigurt” për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian, duke theksuar besimin e tij se palët mund të gjejnë një terren të përbashkët për bashkëpunim ekonomik.
Kryeministrja Meloni, në fillim të takimit, e falënderoi presidentin amerikan për mikpritjen dhe deklaroi dëshirën e saj për ta ftuar Trump në një vizitë zyrtare në Itali.
Ajo theksoi rëndësinë e dialogut të hapur dhe të sinqertë: “Besoj se duhet të flasim me ndershmëri dhe të takohemi në gjysmë të rrugës”, tha ajo.
Në vijim, Meloni theksoi se ajo beson se një bashkëpunim më i ngushtë mes dy brigjeve të Atlantikut do t’i forconte të dyja palët:
“Ne mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Të dy duam të forcojmë lidhjet mes Europës dhe SHBA-së”, deklaroi ajo.
E pyetur mbi çështjen e tarifave reciproke mes SHBA-së dhe BE-së, Meloni u shpreh e bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje.
Në një deklaratë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti Trump komentoi edhe për rritjen e afërsisë së disa aleatëve me Kinën.
“Askush nuk mund të konkurrojë me ne. Do të arrijmë një marrëveshje edhe me Kinën. Besoj se do të jetë një marrëveshje fitimprurëse. Do ta shihni”, tha ai.
Meloni nënvizoi gjithashtu angazhimin e Italisë ndaj NATO-s, duke deklaruar se Italia do të paraqitet në samitin e radhës të Aleancës me objektivin e përmbushur për rritjen e shpenzimeve ushtarake në 2% të PBB-së.
“Evropa është e angazhuar të bëjë më shumë, po punon për të ndihmuar shtetet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtjen. Jemi të bindur që të gjithë duhet të bëjnë më shumë”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër Trump ka shtuar se të gjithë duan të bëjnë një marrëveshje me ne.
“Të gjithë duan të bëjnë marrëveshje me ne. Dhe nëse ata nuk duan ta bëjnë, ne do ta bëjmë për ta. Ne kemi përparësinë." "A janë evropianët parazitë? Nuk e kam thënë kurrë këtë, nuk e di se për çfarë po flisni. Unë dua që ajo të bëhet më e ashpër me emigracionin." A do të jetë në gjendje të ndryshojë mendim për tarifat? “Jo, ne po pasurohemi, miliarda e miliarda dollarë po vijnë tek ne. Tani kryetari i Fed duhet të ulë normat, ai do të ketë shumë presion politik”.
Komente
