Është bërë publik fati i tre zyrtarëve të opozitës bjelloruse, për të cilët mendohej se ishin rrëmbyer nga forcat e sigurisë gjatë protestave të së hënës. Sipas deklaratave të autoriteteve vendase 2 nga liderët e kanë kaluar kufirin dhe për momentin gjenden në Ukrainë, ndërsa Maria Kolesnikova, e cila u pa tek merrej me forcë nga disa njerëz të maskuar gjatë protestës së djeshme, është kapur nga autoritetet kufitare në përpjekje për të kaluar kufirin ilegalisht.
Të tre janë figurat kryesore në Këshillin Koordinues, organ ky i krijuar për një tranzicion paqësor të pushtetit, që kur komisioni zgjedhor e shpalli presidentin Aleksandër Lukashenko fitues të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht. Opozita prej një muaji ka zhvilluar protesta të vazhdueshme duke kërkuar largimin e Lukashenkos, pasi sipas tyre zgjedhjet ishin të manipuluara.
Anëtarja e kryesisë së Këshillit Koordinues, Maryya Kolesnikova, sekretari i shtypit, Anton Randyonkau dhe sekretari ekzekutiv Ivan Krautsou mbërritën në pikën kufitare të Alyaksandrauka në rajonin Homel rreth orës 5:00 të mëngjesit më 8 shtator. Raportimi i tyre fillimisht si të zhdukur, nxiti reagime të menjëhershme nga Bashkimi Evropian se regjimi i bjellorus ishte duke përdorur rrëmbimin dhe frikësimin për të shuar protestat. Deri më tani mijëra njerëz janë arrestuar, përfshirë gazetarë. Pas sulmeve dhe kërcënimeve të pushtetit shumë nga liderët e opozitës janë larguar nga vendi, mes tyre edhe kandidatja e opozitës për presidente Sveatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani disa ditë pas votimit.
Lukashenko, i cili ka shërbyer pesë mandate tashmë, ka refuzuar të hyjë në bisedime me kundërshtarët e tij dhe ka hedhur poshtë kërkesat për mbajtjen e zgjedhjeve të reja .