Dosje

'Mëngjesin e 29 korrikut 1944, forcat britanike filluan sulmin nga deti', dëshmia e ish-partizanit për çlirimin e Himarës

29 Korrik, 08:30| Përditesimi: 29 Korrik, 08:33

  • Share

Për shkak të acarimeve të vazhdueshme politike mbi gjysmëshekullore midis qeverisë komuniste shqiptare dhe asaj britanike, megjithëse kohët kanë ndryshuar, ende sundon harresa mbi kontributin e trupave të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm në mbështetjen e partizanëve dhe nacionalistëve shqiptarë, por duke dhënë dhe jetën e tyre në fushëbeteja, për çlirimin e dy qyteteve të Shqipërisë.

“Është e vërtetë që britanikët kanë marrë pjesë në betejat që çuan në çlirimin e Himarës dhe të Sarandës”, – thotë Tahir Çobani, ish-partizan, që tani po shkruan një libër për ngjarjet e atyre viteve. “Unë kam marrë pjesë në ato beteja dhe kam parë ushtarët britanikë që vriteshin”, – thotë Rakip Beqaj, një tjetër ish-partizan, pjesëtar në formacionin ushtarak në të cilin ka qenë anëtar, Brigada e XII- Sulmuese, luftoi për çlirimin e Himarës dhe të Sarandës.

“Por, për shkak të marrëdhënieve politike të acaruara midis Shtabit shqiptar të Ushtrisë çlirimtare dhe të dërguarve të forcave britanike, bashkëpunimi në beteja, sidomos në atë për çlirimin e Himarës nuk ishte i kënaqshëm”, – shton ai. “Kam dëgjuar që është bërë një betejë midis britanikëve dhe gjermanëve këtu, në kohën e luftës, por asgjë tjetër më tej”, -thotë Vasil Bollano, ish- kryetar i Bashkisë së Himarës, një vend i vogël bregdetar 180 km. larg në jug-perëndim të Tiranës, kryeqytetit të vendit.

Ndihma e britanikëve për Shqipërinë

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u pushtua nga italianët, deri në shtator të vitit 1943 dhe më pas nga gjermanët, deri në fund të vitit 1944. Për të ndihmuar përpjekjet e shqiptarëve në luftën e tyre kundër pushtuesve, por duke duke qenë se vetë shqiptarët ishin mjaft të ndarë politikisht, qeveria britanike në atë kohë, dërgoi përfaqësues të saj pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan, që udhëhiqej nga komunistët dhe pranë nacionalistëve, me qëllimin për t’i mbështetur ata me materiale ushtarake dhe ushqim, si dhe për t’i instruktuar ushtritë e tyre që përbëheshin kryesisht nga vullnetarë.

Por, ndërsa marrëdhëniet e britanikëve me nacionalistët ishin të mira, ato me krerët e Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar ishin të acaruara. Enver Hoxha, në atë kohë udhëheqësi politik i partizanëve, që më pas e sundoi vendin për afro 45 vjet, nuk e shikonte të ardhmen e tij politike te bashkëpunimi me britanikët, duke pasur nga ana tjetër mbështetjen e fortë për pushtetin e ardhshëm nga komunistët në rajon dhe sidomos, ata jugosllavë.

Madje, në fund të jetës së tij, në fillim të viteve ’80-të, ai shkruan një libër të quajtur “Rreziku anglo- amerikan për Shqipërinë”, ku britanikët, jo “vetëm që nuk kanë kontribuar në Luftën e Dytë Botërore”, por “ata vazhdimisht kanë sabotuar luftën e partizanëve”. Ky libër nuk ishte vetëm pjesë e kujtimeve të sunduesit gjysmë shekullor, por dhe udhëzues për të gjithë historianët. Askush nuk mund të guxonte të shkruante apo, të thoshte gjë tjetër.

Pse e mohoi Enver Hoxha kontributin e aleatëve?

Enver Hoxha nuk përmend në atë libër, se 54 pjesëtarë të forcave britanike kanë dhënë jetën në tokën shqiptare dhe 18 prej tyre, janë vrarë brenda tri ditëve, në betejat që çuan në çlirimin e dy qyteteve në Jug të Shqipërisë. Kështu kanë bërë dhe historianët shqiptarë. “Shtabi partizan nuk donte të bashkëpunonte me ne”, – thotë kolonel Davis Smiley, i dërguar i qeverisë britanike, në fillim për disa muaj në vitin 1943, pranë partizanëve dhe më pas, pranë nacionalistëve.

“Unë di që i është kërkuar shtabit partizan të bashkëpunonte për kapjen e lartësive dhe të pozicioneve gjermane, në Himarë dhe me pas në Sarandë, me qëllim pengimin e tërheqjes në të ardhmen të gjermanëve nga Greqia”, thotë ai. “Por ata nuk pranuan”. “Ne ishim në dijeni të sulmit të britanikëve ndaj pozicioneve gjermane, por kishim urdhër të mos vepronim”, – thotë Rakip Beqaj. “Na kishin thënë se britanikët nuk duan bashkëpunimin tonë”, shton ai, që në atë kohë ka qenë një partizan i thjeshtë.

Ai tregon se në mëngjesin e datës 29 korrik 1944, forcat partizane kishin zënë pozicione në gjithë zonën malore të Himarës. Dhe kishin marrë urdhër të mos bënin asnjë lëvizje. “Në mëngjesin e datës 29 korrik, forcat britanike filluan sulmin nga deti, drejt pozicioneve në lartësi të gjermanëve. Beteja vazhdoi gati gjithë ditën”, – thotë Neim Malo, një tjetër partizan që ka parë betejën.

“Diku pasdite trupat britanike u tërhoqën. Midis tyre kishte dhe të vrarë. Menjëherë morëm urdhër të sulmonim. Gjermanët e rraskapitur nga beteja me britanikët nuk rezistuan. Kështu u çlirua Himara”, – shton ai. Sipas Tahir Çobanit në atë betejë u vra një vullnetar nga forcat partizane. “Në atë betejë humbën jetën gjashtë britanikë”, – thotë Smiley. Pesë prej britanikëve të rënë në atë betejë janë anëtarë të regjimentit të Higland Light Infantry, ndërsa një është Royal Norfolck Regiment.

Acarimi i marrëdhënieve

Dështimi në bashkëpunimin në betejën e Himarës acaroi marrëdhëniet midis të dërguarve britanikë dhe shtabit partizan të Enver Hoxhës. U vendos që në muajt e ardhshëm të bëhej një tjetër betejë, në Sarandë, 20 km. më në jug, por në bashkëpunim midis dy ushtrive. “Kam qenë muaj përpara këtij sulmi në Sarandë” – thotë Smiley. “Më duhej të shikoja thellësinë e detit, zonën e bregut si dhe mundësinë e lëvizjes së trupave tona atje”, – shton ai. Sipas Rakip Beqajt, në betejën për çlirimin e Sarandës, u ngrit një komision i përbashkët shqiptaro-britanik, për koordinimin e veprimeve midis dy ushtrive.

Plani ishte që britanikët do të bombardonin me artileri pozicionet gjermane, ndërsa partizanët do të sulmonin nga lartësitë. Më datën 8 tetor 1944, filloi sulmi mbi pozicionet gjermane që ishin nëpër kodra vërtet të vështira. Bombardimi britanik mbi pozicionet gjermane ishte i rëndë. “Madje, dy ditët e para lufta e vërtetë u zhvillua midis dy artilerive”, – thotë Beqaj; “në terren lëviznin skuadra të përbashkëta shqiptaro-britanike, që koordinonin veprimet e dy palëve në luftime”, – thotë ai. Në datën 10 tetor, Saranda u çlirua. Më shumë se 100 gjermanë pranuan të dorëzoheshin pranë britanikëve.

“Nuk e dimë në ka pasur të vrarë në këtë betejë, midis britanikëve”, – thonë tre ish-partizanët që kanë marrë pjesë në atë betejë. Por në faqen e Commonuelth War Graves Commission, thuhet se 9 pjesëtarë të forcave britanike, janë vrarë në Shqipëri, më datën 9 tetor 1944 dhe 3 te tjerë, janë vrarë një ditë më pas. Pesë prej të vrarëve janë pjesë e Royal Marines, 2 e Royal Artillery, 1 ështe Royal Engineer dhe një Sommerset Light Artilery. Tre të tjerët të vrarë një ditë më pas, janë pjesëtarë të Loyal Regiment dhe të Royal Marines.

“Mund edhe të ketë pasur të vrarë midis britanikëve, por ne nuk e morëm vesh, sepse ata sulmuan me artileri dhe lufta u bë midis artilerive”, thotë Beqaj. “Është e vërtetë që në betejën e Sarandës janë vrarë gjatë dy ditëve, dymbëdhjetë pjesëtarë të forcave britanike”, – thotë Davis. Duket se pikërisht në këtë ditë, vendoset fati i harresës së të rënëve britanikë në Shqipëri. Enver Hoxha kishte projektuar sistemin e ardhshëm, me të cilin do të sundonte vendin, ndaj nuk kishte nevojë për praninë e mëtejshme të britanikëve dhe trupave të tyre në tokën shqiptare.

Largimi

Pas një jave tensioni, trupat britanike largohen nga qyteti. “Pavarësisht nga tensioni që ekzistonte midis palëve, për shkak të luftës politike që bëhej në shtab, ata (trupat britanike) ishin shumë korrektë”, – thotë Rakip Beqaj. Një vit më vonë, më 1945, David Smiley ndërton një British Military Cemetary, në rrethinat e Tiranës. Por më 1946-ën Enver Hoxha, i prish të gjitha marrëdhëniet me amerikanët dhe anglezët. Hakmarrja e tij bie dhe mbi varrezën e britanikëve në Tiranë; ai urdhëroi prishjen e saj. Kryqet dhe mbeturinat e trupave u futën në një varr masiv, në një vend të panjohur.

Për afro 40 vjet, askush nuk foli më për ta. Vetë qeveria britanike i nderonte të rënët në Shqipëri, në një përmendore të ngritur në Greqi. Vetëm më 1993, kur komunizmi tashmë kishte rënë, pas tri vizitave të njëpasnjëshme në Shqipëri, David Smiley takohet rastësisht me një shqiptar që kishte qenë komandant i operacionit për shkatërrimin e varrezave të britanikëve. Pas vitit 1994, varrezat u ngritën sërish në periferi të Tiranës, gjithsej 54 varre, por pakkush e di se cili është shkaku i atyre varreve në Shqipëri.

“Duhet vepruar me kujdes”, – thotë Edmond Gjoka, ish-kryetar i Bashkisë së Sarandës. “Nëse është e vërtetë që edhe britanikët kanë dhënë jetën për çlirimin e qytetit, atëherë është detyra jonë të bëjmë diçka për ta”, – shton ai. “Nëse kjo ngjarje është e vërtetë, ata e meritojnë një përmendore”, – thotë Vasil Bollano, ish-kryetar i Bashkisë së Himarës. “Por duhet shumë kujdes në këto gjëra, se e dini, deri tani historia ka qenë ndryshe. Duhet kohë, punë dhe njerëz për të sqaruar të vërtetat”, – shton ai.

Ihsan Budo: Misionarët anglezë gjatë luftës

“Më kujtohet se, ndërsa dy batalione të Brigadës së 6-të Sulmuese, ishin stacionuar në zonën e Sarandës, erdhi për t’i vizituar këto forca, komisari Haki Toska. Unë e shoqërova Hakiun në të gjitha vendet ku ai shkoi. Një nga vizitat e tij ishte ajo në misionin ushtarak anglo-amerikan, që vepronte në Zonën e Parë Operative, komanda e të cilit ishte vendosur në Borsh të Sarandës. Misionarët na pritën me përzemërsi dhe me ta u zhvillua një bisedë e gjatë, që konsistoi në kërkesat tona për ndihma sa më të shpejta në armë, municione, ushqime dhe veshmbathje, për forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Përkthimin nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas e bënte Hiqmet Poshi. Më pas kam pasur lidhje pune me misionin anglez dhe, konkretisht, kur organizata e partisë vendosi të godisnin rezidencat e gjermanëve në Sarandë. Më caktuan të bisedoja me anglezët, për të gjetur rrugët e bashkëveprimit, lidhur me goditjen nga ajri të bazave ushtarake gjermane. Kur shkova në Borsh dhe u thashë anglezëve se çfarë kërkonim të realizonim me ndihmën e tyre, ata e pritën shumë mirë këtë bashkëveprim.

Më thanë se u duhej një hartë ku të ishin përcaktuar objektet që do të goditeshin, si edhe pozicioni ku ishin vendosur armët kundërajrore. Menjëherë pas takimit dhe bisedës me ushtarakët anglo-amerikanë, i shkrova një letër Kiço Lazrit, ku i thosha që të bashkëpunonte me Xhorxhi Xuxin, bashkëpunëtorin tonë brenda në komandën gjermane, për të mësuar mbi vendndodhjen e objekteve që do të goditeshin. Informacionin ky i fundit do të na e dërgonte nëpërmjet ndërlidhësit tonë, Dino Halilit. Pas disa ditësh, korrieri më dorëzoi një letër që ma dërgonte Kiço Lazri.

Në të ishte edhe harta e kërkuar nga misioni ushtarak anglo-amerikan. Për çudinë time, goditja e objekteve u bë brenda pak ditësh, pikërisht më 4 maj 1944. Avionët e aleatëve bombarduan me një intensitet të madh okupatorin gjerman në befasi të plotë, duke e dëmtuar atë seriozisht. Bashkë me këtë fitore ra dëshmor në krye të detyrës, Dino Halili, pikërisht ai që kishte qenë pjesëmarrës në hartimin e asaj planimetrie, që iu dha aleatëve.

Ky aksion e dëmtoi shumë okupatorin, por, për fatin tonë të keq, gjatë tij u vra edhe një nga shokët tanë më të mirë. Suksesi i këtij aksioni me rëndësi i dedikohet bashkëpunimit tonë me aleatët, të cilët u treguan të gatshëm për të na ndihmuar, si edhe punës së shokëve tanë që përcollën me saktësi të dhënat, si Kiço Lazri, Dino Halili e Xhorxhi Xuxi. Këta dhanë koordinata të sakta për pilotët e aviacionit luftarak të aleatëve”, përfundon Ihsan Budo./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Më i votuari i listës së hapur, a mendoni se mandati i takon Adriatik Lapajt?