Një djale 14-vjeç, nxënës i klasës së 8-të në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës është prekur nga meningjiti bakterial akut, në rrethana ende të panjohura. Fëmija është paraqitur në spitalin e Durrësit pasditen e së premtes (7 shkurt) pas mësimit dhe për shkak të gjendjes së rënduar është transportuar gjatë fundjavës në QSUT.
Duke qenë se meningjiti është një sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Durrës duhet të kishte marrë masat për dezinfektimin e ambienteve të shkollës që të hënën në mëngjes si dhe trajtimin me antibiotike te personave te kontaktit. Kjo gjë nuk ka ndodhur! Njoftimi është dhënë të hënën pasdite i cunguar.
“Jemi vënë në dijeni mbrëmjen e djeshme (e hënë) pas procesit mësimor. Shkolla jonë bën mësim turn i dytë dhe e kemi mbaruar mësimin në 17:30 dhe në orën 19:00 jam vënë në dijeni nga mjekja epidemiologe e se nxënësi i klasës 8 B me iniciale H.A. ka dalë pozitiv me meningjit bakterial. Mjekja e NjVShK më ka thënë që nxënësit e klasës dhe mësuesit që kanë dhënë mësim në atë klasë duhet të marrin antibiotik. Meqenëse këtu bëjnë mësim dy shkolla, pyeta vetë nëse duhet bërë dezinfektim në shkollë, por më thanë që nuk është e nevojshme, tha Drejtoresha e shkolles “Kushtrimi i Lirisë” Merita Bekteshi.
Nxënësit e “Kushtrimit të Lirisë” e zhvillojnë mësimin turn i ditë tek “Eftali Koci” dhe të dyja shkollat bashkë kanë mbi 350 nxënës. Neglizhenca e institucioneve të shendetësisë në Durrës ka vënë në panik nxënësit, prindërit dhe mësues, çka është reflektuar me mungesa të shumta në mësim gjatë ditës së sotme.
“Sot, siç e prisnim në klasën e 8-të B, ka patur shumë mungesa në klasë për shkak të panikut. Gjendja e nxënësit të sëmurë është problematike dhe normal që prindërit e tjerë janë të shqëtësuar. Gjendja është kjo që është, por mendoj se s’ka nevojë për panik tek nxënësit e tjerë. Ky është rasti i dytë që ndodh në Durrës dhe është shqetësuese. Uroj që fëmija të shërohet!”, tha me tej Bekteshi.
Dy muaj më parë, më 15 dhjetor 2024 humbi jetën në Durrës, Noela Caka, maturante në shkollën e mesme “Leonik Tomeo”, e cila ishte prekur nga meningiti bacterial gjatë një ekskursioni me klasën në Dardhë.
Shkolla "Kushtrimi i Lirisë" ku studion 14-vjeçari me meningjiti bakterial akut
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës ka reaguar për rastin e 14-vjeçarit të prekur nga meningjiti bakterial akut.
Ky institucion pretendon që sapo është vënë në dijeni të rastit, ka marrë të gjitha masat e nevojshme, duke theksuar se ka kontaktuar të gjithë grupin e ngushtë të kontaktit të të miturit të prekur me meningjiti, për t’i kërkuar të përdorin antibiotikët e nevojshëm, me qëllim shmangien e rrezikut nga kjo sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse.
Report Tv ka zbuluar se reagimi i Njësisë Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës ka qenë shumë i vonuar, pasi 14-vjeçari është paraqitur në spital gjendje të rëndë shëndetësore të premten e 7 shkurtit, ndërsa ky institucion ka bërë një njoftim të hënën e 10 shkurtit.
“Në lidhje me infeksionin e Neisseria meningitis theksojmë që është një sëmundje infektive, pra një infeksion bakterial që trasmetohet në mënyrë të shpejtë me kontaktin e ngushte dhe të zgjatur dhe mund të paraqitet dhe me forma fulminante.
Infeksioni i meningokokut mund të shfaqet në çdo moshë, por ka dhe grupmosha me afinitet më të lartë.
Per sa i perket rastit 14 vjecar së pari i urojmë shërim të shpejte dhe njëkohësisht theksojmë se është ndjekur në mënyrë të shpejtë nga Urgjenca e Spitalit të Durrësit duke kryer ekzaminimet neurologjike për shkak të gjendjes së stuporit e klinikës se rëndë si dhe duke vlerësuar këtë situatë rasti me suspekt Meningo-Encefalit (prekje të cipave të trurit) transferohet në QSUT “Nënë Tereza”.
Infeksioni nga Neisseria meningitis është një një infeksion që raportohet si rrjedhojë e zbatimit të Ligjit nr 51/2016 për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive dhe të dhënat jenë të deklaruara në sistemin elektronik dhe si i tillë nuk është fshehur, por përkundrazi është raportuar dhe janë ndjekur rekomandimet për masat e profilaksisë për familjarët, personelin shëndetësor në Durrës 19 persona, personeli shëndetësor në QSUT si dhe kontaktet e ngushta në klasën e rastit, ku kanë marrë profilaksinë me antibiotikë 24 nxënës dhe 6 mësues duke ndjekur dhe respektuar Udhëzuesin specifik si për çdo rast tjetër të dyshuar apo të konfirmuar me Neisseria meningitis.
Theksojmë se nuk ka asnjë neglizhencë në ndjekjen klinike, epidemiologjike, por janë ndjekur hapat në mënyrë rigoroze për zbatimin e Udhëzuesit per ndjekjen e profilaksisë dhe të hetimit epidemiologjik.
Pacienti po merr mjekim sipas protokollit në terapi intensive, për sëmundjen me të cilën është diagnostikuar. Gjendja e tij po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekipi mjekësor”.-thuhet në reagim.
Komente
