Nxënësit në shkollat 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë’ dhe “Eftali Koçi” në Durrës, ku disa ditë më parë u konstatua një rast me meningjit, duket se i janë rikthyer normalitetit. Prindërit kanë sjellë fëmijët në shkollë edhe pse disa prej tyre ende shprehen skeptik për situatën.
“Frikë kemi pasur por për kontrolle nuk e dimë nëse janë bërë. Një javë e kam mbajtur në shtëpi mbesen. Tani e kam sjellë se dhe djali që ishte sëmurë është bërë më mirë. Po tani të sigurt s'jemi as në rrugë , jo më në shkollë”, tha një gjyshe.
“Po edhe kam frikë, vajzën tre ditë nuk e kam sjellë, tani sikur është qetësuar situata. S’ka pasur raste të tjera dhe duket sikur është izoluar si sëmundje”, tha një prind.
Sakaq të tjerë prindër shprehen se ndjehen të sigurt pasi kanë qenë në kontakt me mësuesit kujdestar dhe duke treguar se i besojnë institucioneve dhe deklaratave të tyre në media për një normalizim të situatës dhe se nuk ka vend për panik.
“Tani s’kemi ca bëjmë nuk i lëmë dot pa mësim. Po dy -tre ditë nuk erdhën fëmijët nga frika por tani janë rikthyer të gjithë. Mësuesja na tha se çdo gjë është në rregull”, tha një tjetër prind.
Ndërkohë që Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetesor në Durrës nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, nëpërmjet prindërve Report Tv mëson se godina arsimore ku zhvillojnë mësim me turne nxënësit e dy shkollave nuk është dezinfektuar.
Më 9 shkurt, nxënësi i shkollës “Kushtrimi i Lirisë” është, prekur nga meningjiti bacterial akut. Mësohet se 14-vjecari tashmë është në gjendje të mire shëndetesore.
Ndërsa më 15 dhjetor 2024 humbi jetën në Durrës, Noela Caka, maturante në shkollën e mesme “Leonik Tomeo”, e cila ishte prekur nga meningjiti.
Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini, tha në intervistë për Report TV, pak ditë më pare se “Shqipëria është në fashën e rasteve sporadike të meningjitit.
ISHP ka rekomanduar më herët futjen e vaksinës së Meningokokut në kalendarin e vaksinave, por sipas drejtoreshës së ISHP ndërhyrja vjen nga incidenca e rasteve.
Komente
